Bota

Lula i Brazilit propozon bashkëpunim me SHBA-në për arrestimin e krerëve të krimit që jetojnë në Miami

Lula tha se i ka theksuar Trumpit se atyre nuk u nevojiten armë, por inteligjencë dhe taktika të zgjuara për të luftuar trafikun

Muhammed Yasin Güngör, Sinan Doğan  | 04.12.2025 - Përdıtësım : 04.12.2025
Lula i Brazilit propozon bashkëpunim me SHBA-në për arrestimin e krerëve të krimit që jetojnë në Miami

Bogota/Stamboll

Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva ka bërë të ditur se i ka propozuar bashkëpunim presidentit amerikan, Donald Trump, për arrestimin e krerëve të organizatave kriminale braziliane që jetojnë në SHBA, veçanërisht në Miami, transmeton Anadolu.

Duke folur në një kanal privat televiziv, Lula vlerësoi bisedën e tij të fundit telefonike me Trumpin, duke theksuar se i ka ofruar bashkëpunim për kapjen dhe ndalimin e "bosëve brazilianë" të krimit që banojnë në Miami.

Lula tha se i ka thënë Trumpit se ata duhet të fillojnë arrestimin e brazilianëve që jetojnë në SHBA dhe që janë të përfshirë në aktivitete kriminale.

Presidenti brazilian theksoi se vendet e rajonit duhet të koordinojnë përpjekjet kundër udhëheqësve të bandave dhe trafikantëve të përfshirë në kontrabandën e armëve dhe drogës.

Duke iu referuar operacioneve amerikane në Karaibe kundër organizatave të drogës, të cilat kanë vrarë të paktën 83 persona që nga muaji shtator, Lula tha se i ka theksuar Trumpit se atyre nuk u nevojiten armë, por inteligjencë dhe taktika të zgjuara për të luftuar trafikun.

Trump thuhet se ka theksuar gatishmërinë për të punuar me Brazilin dhe ka premtuar mbështetje të plotë për nismat e përbashkëta që synojnë organizatat kriminale gjatë telefonatës të së martës.

Gjatë bisedës 40-minutëshe u diskutuan edhe negociatat tregtare mes dy vendeve, përfshirë tarifat shtesë 40 për qind që SHBA-ja ka vendosur për disa produkte braziliane.

Brazili e përshkroi bisedën si "shumë produktive" ndërsa Lula e vlerësoi vendimin e SHBA-së për heqjen e tarifave shtesë si "shumë pozitiv".

Telefonata shënon një zbutje të rëndësishme të tensioneve pas një krize tregtare. Trump fillimisht kishte vendosur tarifat shtesë duke përmendur jo vetëm praktikat tregtare që i konsideronte të padrejta, por edhe ndjekjen penale të ish-presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, aleatit të tij politik, i cili së fundmi u dënua me mbi 27 vjet burg për përpjekjen për puç pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022 ndaj presidentit Lula.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.