Lituania u bën thirrje qytetarëve të mos përdorin celularët kinezë
Raporti i qeverisë pretendon se softueri i censuruar në telefonat Xiaomi mund të ndizet nga distanca

Londër
Autoritetet lituaneze u kanë kërkuar qytetarëve të mos blejnë telefona celularë kinezë dhe t'i hedhin ato që tashmë i posedojnë, sepse sipas një raporti të qeverisë pretendohet se mund të kenë të instaluar aftësitë e censurës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një raport nga zyra për sigurinë kibernetike të Lituanisë të martën thuhet se telefonat e prodhuar nga gjiganti kinez i elektronikës Xiaomi kanë mjete të censurës të integruara për të njohur terma të ndryshëm, duke përfshirë "Tibeti i Lirë", "Rroftë pavarësia e Tajvanit" dhe "lëvizja demokratike", sipas një raporti nga Politico Europe.
Softueri i censurës në telefonin Mi 10T 5G të Xiaomi ishte fikur në "rajonin e Bashkimit Evropian", por mund të ndizet nga distanca në çdo kohë, thuhet në raportin e Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes të Lituanisë.
"Rekomandimi ynë është të mos blini telefona të rinj kinezë dhe të hiqni qafe ato që janë blerë sa më shpejt që të jetë e mundur", tha zëvendësministri i Mbrojtjes, Margiris Abukevicius.
Marrëdhëniet midis Lituanisë dhe Kinës janë acaruar kohët e fundit pasi Pekini tërhoqi ambasadorin e tij në gusht pasi Vilnius dhe vendosi të krijojë një zyrë të re diplomatike në Tajvan.
Kina e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur dhe pjesë të vendit, një pretendim i diskutueshëm në planin ndërkombëtar.