Bota

Lituania paralajmëron se do të mbyllë përsëri kufirin me Bjellorusinë nëse vazhdojnë kercënimet e sigurisë

“Sot, ne shohim se mund t’i rihapim kufijtë, por ne nuk e përjashtojmë mundësinë e mbylljes së tyre përsëri për një kohë të pacaktuar nëse situata përkeqësohet”, tha Ruginiene

İlayda Çakırtekin  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
Lituania paralajmëron se do të mbyllë përsëri kufirin me Bjellorusinë nëse vazhdojnë kercënimet e sigurisë

Stamboll

Kryeministrja lituaneze, Inga Ruginiene, ka deklaruar se vendi i saj mund të mbyllë përsëri kufirin me Bjellorusinë për një kohë të pacaktuar nëse kërcënimet e sigurisë vazhdojnë, transmeton Anadolu.

“Sot, ne shohim se mund t’i rihapim kufijtë, por ne nuk e përjashtojmë mundësinë e mbylljes së tyre përsëri për një kohë të pacaktuar nëse situata përkeqësohet”, u tha Ruginiene gazetarëve në Aeroportin në Kaunas.

Sipas transmetuesit LRT, Ruginiene theksoi se përdorimi i balonave që mbartin kontrabandë të lëshuara nga Bjellorusia u bë “realiteti i ri” i Lituanisë, si dhe riafirmoi se ata po i mbyllin aeroportet “më rrallë” teksa përgatiten për kërcënime të reja.

Kryeministrja lituaneze gjithashtu theksoi se vetëm mbyllja e kufirit nuk do të ndalojë lëshimin e balonave dhe se Lituania po zbaton masa më të gjera për të shënjestruar kontrabandistët që qëndrojnë pas tyre.

Të mërkurën, qeveria lituaneze vendosi të rihapë pikat kufitare me Bjellorusinë më herët se data e planifikuar fillimisht më 30 nëntor.

Vendimi i Lituanisë për të mbyllur pikat kufitare erdhi pasi balonat me helium nga Bjellorusia hynin vazhdimisht në hapësirën e saj ajrore, duke e bërë vendin të mbyllë aeroportin dhe pikat kufitare.

Më tej, Ruginiene e përshkroi si një “sulm hibrid” bllokadën e vazhdueshme të Bjellorusisë që pengonte kthimin e kamionëve lituanezë, edhe pas rihapjes së pikave të kontrollit kufitar.

“Fakti që kamionët ende nuk mund të kthehen tregon se kishim të drejtë dhe se po luftonim kundër një sulmi hibrid”, tha ajo.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.