Lituania kërkon “sanksione më të ashpra” ndaj Bjellorusisë për balonat e kontrabandistëve dhe kamionët e sekuestruar
“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri, të mbrojë shtetet anëtare, të mbrojë kompanitë dhe pronën e tyre, të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Bjellorusisë dhe të përballet me këtë përshkallëzim me unitet dhe forcë”, tha Budrys
Stamboll
Ministri lituanez i Punëve të Jashtme, Kestutis Budrys, ka bërë thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Bjellorusisë në përgjigje të balonave të kontrabandistëve dhe kamionëve që mbeten të sekuestruar në vend pavarësisht rihapjes së kufirit, transmeton Anadolu.
“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri, të mbrojë shtetet anëtare, të mbrojë kompanitë dhe pronën e tyre, të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Bjellorusisë dhe të përballet me këtë përshkallëzim me unitet dhe forcë”, tha Budrys, duke folur përpara Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.
Duke përmendur balonat e kontrabandistëve të zbuluara në hapësirën ajrore lituaneze dhe kamionët që janë sekuestruar në Bjellorusi, ministri lituanez theksoi se ato janë nën “sulm të kombinuar”.
“Më shumë se 30 mijë pasagjerë u prekën, më shumë se 1 mijë mbrëmë dhe më shumë se 200 fluturime u ridrejtuan. Nuk mund të funksionojë normalisht”, theksopi Budrys.
Ai kërkoi që “sulmi i kombinuar” të përballet me një përgjigje nga BE-ja, pasi blloku është nën “presion ekonomik”.
Të mërkurën, qeveria lituaneze vendosi të rihapë pikat kufitare me Bjellorusinë më herët se data e planifikuar fillimisht për më 30 nëntor.
Vendimi i Lituanisë për të mbyllur pikat kufitare erdhi pasi balonat me helium nga Bjellorusia hynin vazhdimisht në hapësirën e saj ajrore, duke bërë që vendi të mbyllë aeroportet dhe pikat kufitare.
Si përgjigje ndaj mbylljes së kufirit, Minsku ndaloi kamionët lituanezë të vendosur në Bjellorusi të kthehen në shtëpi.
Sipas transmetuesit LRT, pavarësisht rihapjes së pikave të kontrollit, shoferët lituanezë ende po pengohen të kthehen.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
