Lituania do të thërrasë 5 mijë të rinj për shërbim ushtarak mes bisedimeve për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme
Thirrja ushtarake vjen pasi autoritetet lituaneze përgatiten të shpallin një gjendje të jashtëzakonshme në nivel shtetëror për shkak të kërcënimit që paraqesin balonat e kontrabandës së cigareve që hyjnë në vend nga Bjellorusia
Bruksel
Forcat e armatosura të Lituanisë kanë bërë të ditur se rreth 5 mijë të rinj janë planifikuar të thirren për shërbim të detyrueshëm ushtarak vitin e ardhshëm, derisa qeveria po shqyrton shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme në nivel shtetëror pasi balonat me helium nga Bjellorusia po hyjnë vazhdimisht në hapësirën ajrore lituaneze, transmeton Anadolu.
Ushtria tha se shumica e rekrutëve, respektivisht 3.870, pritet të shërbejnë nëntë muaj shërbim fillestar të detyrueshëm ushtarak dhe theksoi se vitin e ardhshëm rekrutët gjithashtu do të mund të përfundojnë shërbimin e detyrueshëm në Forcat e Operacioneve Speciale.
Thirrja do të kryhet gjatë gjithë vitit 2026, nga 2 janari deri më 31 dhjetor.
Transmetuesi lituanez LRT tha se thirrja ushtarake vjen pasi autoritetet lituaneze përgatiten të shpallin një gjendje të jashtëzakonshme në nivel shtetëror për shkak të kërcënimit që paraqesin balonat e kontrabandës së cigareve që hyjnë në vend nga Bjellorusia.
Zyra e kryeministres lituaneze, Inga Ruginiene, tha se qeveria po shqyrton masat e emergjencës për të forcuar mbrojtjen civile, për të rritur përpjekjet parandaluese dhe për të vendosur dënime më të ashpra ndaj shkelësve.
Të mërkurën, ministri i Punëve të Brendshme, Vladislav Kondratovic, tha se shpallja e gjendjes së emergjencës ishte ndër opsionet që po shqyrtohen.
Këtë vit, sipas autoriteteve, 599 balona kontrabandistësh dhe 197 dronë kanë hyrë në hapësirën ajrore lituaneze, duke ndërprerë 320 fluturime dhe duke prekur gati 47 mijë pasagjerë.
Incidentet kanë shkaktuar pothuajse 60 orë mbyllje të aeroporteve, duke përfshirë ndërprerje në aeroportet në Vilnius dhe Kaunas.
Sipas ligjit të menaxhimit të krizave të Lituanisë, një emergjencë në nivel shtetëror mund të shpallet kur incidentet prekin shumë komuna ose kërkojnë burime përtej një niveli lokal. Qeveria mund të zbatojë masa të tilla në të gjithë vendin ose rajonin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
