Liga Arabe dënon bastisjen izraelite në selinë e UNRWA-s në Kudsin Lindor të pushtuar
Blloku panarab tha se bastisja është "pjesë e përpjekjeve sistematike dhe të qëndrueshme për të ndërprerë praninë dhe operacionet e UNRWA-s".
Stamboll
Liga Arabe dënoi bastisjen izraelite ndaj selisë së agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, paralajmëroi se bastisja pasqyron përpjekjet e vazhdueshme për të minuar praninë dhe funksionet e UNRWA-s në territoret e pushtuara palestineze.
Gamal Roshdy, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm, tha se pretendimeve izraelite kundër agjencisë së OKB-së “u mungon çdo bazë ligjore ose logjike”, duke theksuar se bastisja “formon pjesë të një përpjekjeje sistematike dhe të qëndrueshme për të ndërprerë praninë dhe operacionet e UNRWA-s”.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar “të ndërhyjë në mënyrë efektive dhe vendimtare për t’i dhënë fund kësaj fushate që synon agjencinë”.
UNRWA ofron “shërbime jetësore shëndetësore, arsimore dhe punësimi për miliona refugjatë palestinezë në pesë fushat e saj të veprimit”, shtoi ai.
Sipas shefit të UNRWA-s, Philippe Lazzarini, policia izraelite e shoqëruar nga zyrtarë komunalë hyri me forcë në kompleksin e UNRWA-s në Kudsin Lindor dje në mëngjes, duke e ulur flamurin e OKB-së dhe duke e zëvendësuar me një flamur izraelit.
UNRWA u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më shumë se 70 vjet më parë për të ndihmuar palestinezët që u dëbuan me forcë nga toka e tyre.
Agjencia e OKB-së po përballet me vështirësi të rënda financiare që kur Izraeli e ndaloi të operojë në territorin e tij dhe nisi një fushatë shpifjesh duke pretenduar se anëtarë të stafit ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit 2023. Personeli i UNRWA-s u detyrua të braktisë kompleksin në fillim të këtij viti.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
