Lideri i lartë i Hamasit vritet në sulmin ajror izraelit në jug të Gazës
Bardawil, një anëtar i byrosë politike dhe deputet në Këshillin Legjislativ Palestinez, u vra në një “sulm të vënë në shënjestër teksa po kryente namaz nate në tendën e tij në zonën Al-Mawasi”. Gruaja e tij gjithashtu u vra në sulm
Ankara
Zyrtari i lartë i Hamasit, njëherësh ligjvënës palestinez, Salah al-Bardawil, është vrarë në një sulm ajror izraelit në perëndim të Khan Younisit në Rripin e Gazës jugore, transmeton Anadolu.
Siç njoftoi grupi palestinez Hamas, Bardawil, një anëtar i byrosë politike dhe deputet në Këshillin Legjislativ Palestinez, u vra në një “sulm të vënë në shënjestër teksa po kryente namaz nate në tendën e tij në zonën Al-Mawasi”. Gruaja e tij gjithashtu u vra në sulm.
Sulmi ajror ishte pjesë e një bombardimi të vazhdueshëm izraelit ndaj Gazës, i cili është intensifikuar ditëve të fundit.
Hamasi e dënoi sulmin duke e quajtur një “sulm frikacak sionist” dhe tha se Izraeli “po kryen krime lufte në kuadër të një fushate sistematike të masakrave” në Gaza.
Të paktën 700 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur në një fushatë të papritur ajrore nga Izraeli në Gaza që nga e marta e kaluar, duke e rrëzuar armëpushimin dhe marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve që u arrit në muajin janar.
Pothuajse 50 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 113 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Izraeli për luftën brutale në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një rast gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
