Lideri druz Al-Hijri rifillon nxitjen kundër shtetit sirian, ndjekësit i quan "pjesë të Izraelit"
Ndjekësit e Al-Hijrit përfaqësojnë një pakicë dhe nuk shihen si përfaqësues të komunitetit druz në provincë
Stamboll
Udhëheqësi druz në provincën jugore Suwayda të Sirisë, Hikmat al-Hijri ka përshkallëzuar përsëri nxitjen e tij kundër shtetit sirian, duke deklaruar hapur se ndjekësit e tij janë "pjesë e pandashme e Izraelit", transmeton Anadolu.
Al-Hijri i bëri këto komente në një intervistë të botuar sot nga e përditshmja izraelite "Yedioth Ahronoth".
Komuniteti druz në Suwayda ka tre autoritete fetare, qëndrimet e të cilëve herë pas here ndryshojnë: Hikmat al-Hijri, Hammoud Yahya al-Hinnawi dhe Yusuf Jarbou'. Ndjekësit e Al-Hijrit përfaqësojnë një pakicë dhe nuk shihen si përfaqësues të komunitetit druz në provincë.
"Ne e shohim veten si pjesë të pandashme të ekzistencës së shtetit të Izraelit. Kjo marrëdhënie është ndërkombëtare dhe me rëndësi kritike", tha Al-Hijri. Pavarësisht sulmeve të përsëritura ushtarake të Izraelit në të gjithë rajonin, ai pretendon se "Izraeli është i vetmi garantues dhe pala e autorizuar për të formësuar marrëveshjet e ardhshme".
Duke iu referuar këtyre marrëveshjeve, Al-Hijri tha se "kërkesa kryesore është pavarësia e plotë", duke shtuar se një periudhë kalimtare vetëqeverisjeje nën mbikëqyrjen e një garantuesi të jashtëm mund të jetë e pranueshme.
Nga perspektiva e tij, ai tha se "Izraeli është pala e përshtatshme për këtë", duke iu referuar thirrjes së tij që Suwayda të bëhet "entitet i pavarur". Ai vazhdon të promovon atë që e përshkruan si "ndarje dhe vendosje të qeverisjes autonome së bashku me pavarësinë", duke pretenduar se kjo do të siguronte "të ardhme më të mirë për pakicat dhe stabilitet rajonal në të gjithë Lindjen e Mesme".
Në një sulm ndaj qeverisë siriane, e cila ka theksuar vazhdimisht se druzët janë komponent thelbësor i vendit, Al-Hijri pretendon se "sistemi aktual është më brutali", duke pohuar se u formua si "zgjerim i drejtpërdrejtë i Al-Kaedës".
Lidhur me shkeljet e sovranitetit sirian nga Izraeli, të kryera nën pretekstin e mbrojtjes së komuniteteve druze, ai tha: "Nuk është sekret që Izraeli ishte i vetmi vend në botë që ndërhyri ushtarakisht".
Pavarësisht shpërndarjeve të ndihmës humanitare të koordinuara nga qeveria siriane në Suwayda, Al-Hijri tha se nuk kishte lidhje me Damaskun, duke përsëritur kërkesën e tij për një "rajon të pavarur druz". Ai tha se lidhjet midis ndjekësve të tij dhe Izraelit datojnë që para rënies së regjimit të Bashar al-Assadit më 8 dhjetor 2024.
Mbështetësit e Al-Hijrit kanë shkaktuar më parë zemërim të gjerë midis sirianëve pasi kanë bërë thirrje të hapura për kujdestari izraelite, duke organizuar demonstrata në të cilat u ngritën flamuj izraelitë dhe iu bënë thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu të ndërhyjë në punët e brendshme të Sirisë.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga qeveria siriane mbi vërejtjet e Al-Hijrit. Damasku më parë ka pohuar se mbrojtja e komunitetit druz është përgjegjësi e shtetit dhe ka dënuar shkeljet izraelite të sovranitetit të Sirisë.
Kjo nuk është hera e parë që Al-Hijri ka bërë thirrje për "entitet të pavarur" ose ka lavdëruar Izraelin. Në shtator të vitit të kaluar, ai falënderoi publikisht Netanyahun në një fjalim të regjistruar për ndërhyrjen ushtarake izraelite kundër forcave qeveritare siriane pas trazirave në Suwayda në korrik 2025.
Provinca ka mbetur nën një marrëveshje armëpushimi që nga ai muaj, pasi përplasjet midis fiseve beduine dhe grupeve druze lanë qindra të vrarë dhe të plagosur.
Megjithatë, grupet e lidhura me Al-Hijrin kanë shkelur vazhdimisht armëpushimin dhe kanë synuar pozicione ushtarake ndërsa qeveria i është përmbajtur marrëveshjes, ka lehtësuar evakuimet dhe ka lejuar hyrjen e ndihmës humanitare.
