Bota

Libanezët blejnë pasaporta të vendeve të Karaibeve për një jetë më të mirë

Libanezi Tony Najjar, i cili bleu një pasaportë të St.Lucia-s: "Nuk e kam parë kurrë atë vend. Pasaporta më ka kushtuar 125 mijë dollarë. Tani mund të vizitoj më shumë se 150 shtete pa vizë"

İdiris Okuduci  | 12.04.2023 - Përdıtësım : 13.04.2023
Libanezët blejnë pasaporta të vendeve të Karaibeve për një jetë më të mirë

Bejrut

Në Liban, vend i cili është në krizë ekonomike, disa qytetarë blejnë pasaporta të vendeve brenda Komunitetit të Karaibeve për një jetë më të mirë, udhëtime më të lehta dhe mundësi punësimi.

Kriza ekonomike në Liban e cila u shfaq në vitin 2019 preku pothuajse çdo sektor. Për shkak të krizës, llogaritë e depozitave në valutë u ngrinë, u vendosën kufizime për transferimin e valutës, ndërprerjet e energjisë elektrike u bënë problem madhor dhe monedha vendase, lira, u zhvlerësua me 99 për qind kundrejt dollarit ndërsa pagat e punonjësve publikë ranë me 90 për qind.

Pas krizës, veçanërisht ata me profesion të kualifikuar filluan të migrojnë ose në vendet e Gjirit ose në Perëndim për një të ardhme më të mirë.

Libanezët që nuk munden ose kanë vështirësi në marrjen e vizës, nga ana tjetër, e gjejnë zgjidhjen në shtetësinë e dytë.

Në billbordet në rrugët kryesore të kryeqytetit Bejrut si dhe në autostradën ndërurbane bien në sy programet "Shtetësia e dytë për para".

Pasaporta del për 4 deri në 6 muaj

Ka shumë kompani konsulence për shtetësinë në Liban që kryejnë transaksione në emër të vendeve brenda Komunitetit të Karaibeve.

Edhe pse "Passport Legacy", një prej këtyre kompanive të autorizuara në Bejrut, është krijuar vetëm 3 vite më parë ajo nuk punon pa takim për shkak të numrit të shumtë të klientëve.

Duke folur për Anadolu, drejtori i kompanisë për Libanin, Jose Charo, tregoi se pse klientët e tij duan të marrin një pasaportë të dytë.

"Klientët tanë vijnë shpesh tek ne për arsye të tilla si një e ardhme më e mirë për fëmijët e tyre, arsimi dhe shëndeti. Ne jemi kompani me autoritetin e dhënë nga vendet brenda fushës së Komunitetit të Karaibeve. Çështja më e rëndësishme në marrjen e shtetësisë së dyfishtë është prejardhja e personit dhe se nuk përbën ndonjë kërcënim për sigurinë. Për këtë shkak zhvillohen disa hetime sigurie nga shteti ku ai aplikon", tha Charo.

Duke deklaruar se vende si Antigua dhe Barbuda, Bahamas, Barbados, Belize, Dominica, Grenada, Guajana, Montserrat, St. Kitts dhe Nevis, St. Lucia, St. Vincent dhe Grenadines japin nënshtetësinë në këmbim të shumave të ndryshme ose përmes blerjes së një prone atje, Charo tha se shumë vende në Karaibe nuk kanë kërkesa të detyrueshme vizite për shtetësinë dhe se ata që duan mund të marrin pasaportat e tyre pa i parë këto vende.

Duke thënë se tarifa mesatare e nënshtetësisë fillon nga 100 mijë dollarë, Charo tha: "Nëse një person e blen atë, e gjithë familja fiton të drejtën për të marrë një pasaportë. Ky proces zgjat mesatarisht prej 4 deri në 6 muaj".

Ai tha se njerëzit i tërheq avantazhet që ofron pasaporta. Charo thekson se mundësitë e udhëtimit me pasaportë libaneze janë të kufizuara, por ata që kanë pasaportat e këtyre vendeve mund të vizitojnë më shumë se 150 vende, përfshirë Britaninë e Madhe pa vizë.

"Sa e mora pasaportën, hapa menjëherë një llogari bankare"

Biznesmeni i ri libanez, Tony Najjar, i cili mori pasaportën e shtetit të Shën Lucia-s, tha se i duhej të udhëtonte vazhdimisht për shkak të punës së tij dhe u desh shumë kohë për të mbledhur dokumentet për vizë me pasaportë libaneze.

Ai shtoi se kriza dhe paqëndrueshmëria në vend e detyruan atë të merrte një shtetësi të dytë. "Supozoni se një ditë të gjithë libanezët do t'i nënshtrohen sanksioneve. Nëse të gjitha llogaritë tona bankare bllokohen, do të bëhet e pamundur transferimi, tërheqja e parave dhe bërja e biznesit. Falë pasaportës së dytë, unë mund të hap një llogari bankare ku të dua. Kjo ma lehtëson punën. Sapo mora pasaportën, hapa menjëherë një llogari bankare", tha Najjar.

Sipas tij, këndvështrimi i botës ndaj Libanit nuk është më i njëjti si më parë, indeksi i besimit të pasaportave ka rënë ndjeshëm dhe shkalla e refuzimit të vizave nga ambasadat është rritur. "Me një pasaportë të re, ju mund ta hiqni këtë pengesë dhe të hapni horizonte të reja në jetën tuaj", u shpreh Najjar.

"Procesi zgjat 4 muaj. Nuk e kam parë kurrë atë vend (St.Lucia). Pasaporta më ka kushtuar 125 mijë dollarë. Për momentin mund të vizitoj më shumë se 150 shtete pa vizë", tha ai.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın