"Le Monde": Retorika e Trumpit për Iranin nuk është në përputhje me realitetin e luftës
E përditshmja franceze shkruan se vetëm qasja ushtarake nuk mund ta pengojë Iranin ndërsa paralajmëron se diplomacia është "varrosur nën bomba"
Stamboll
Sipas një editoriali të botuar të enjten nga gazeta franceze "Le Monde", komentet e fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump mbi Iranin nuk përputhen me realitetet e luftës, transmeton Anadolu.
Editoriali tha se ka dalë një "hendek i dukshëm" midis kënaqësisë së Trumpit me përparimin e konfliktit dhe situatës në terren. Theksohet se Trumpi njoftoi sulme të mëtejshme gjatë "dy ose tre javëve" të ardhshme, por nuk arriti të përshkruajë një strategji konkrete për t'i dhënë fund armiqësive ose për të ringjallur përpjekjet diplomatike.
Duke e përshkruar konfliktin si një "luftë të zgjedhur", editoriali tha se vetëm veprimi ushtarak nuk do të ishte i mjaftueshëm për të penguar Iranin në planin afatgjatë.
Gjithashtu paralajmërohet se diplomacia është lënë mënjanë në mënyrë efektive, me rrugën drejt negociatave "të varrosur nën bombat amerikane dhe izraelite". Gazeta tha se ndërsa forcat amerikane dhe izraelite shkaktuan dëme të konsiderueshme ushtarake, Irani demonstroi qëndrueshmëri, përfshirë edhe përmes përgjigjes së tij në Ngushticën e Hormuzit.
"Teherani e ka shndërruar atë që Trumpi e përshkroi si një ekskursion të vogël në fillimet e një moçali", shtoi gazeta. "Le Monde" kritikoi Trumpin për tërheqjen nga ideja e ndryshimit të regjimit si dhe përgjegjësinë për rihapjen e Hormuzit.
Thuhet poashtu se kritikat e fundit të Trumpit ndaj NATO-s zbulojnë dobësi. "Nëse lufta do të ishte aq e suksesshme sa pretendon Trumpi, ai nuk do të kërkonte fajtorë në mënyrë kaq të çrregullt", tha gazeta.
