Bota

"Largimi i Haftarit, një domosdoshmëri për demokracinë libiane"

Al-Mishri thotë se procesi demokratik nuk mund të ecë përpara përderisa forcat e Haftarit janë të pranishme si një fuqi e rebelimit ushtarak, pasi kjo do të kërcënonte çdo pushtet të zgjedhur legjitim në të ardhmen

Ekip  | 23.01.2020 - Përdıtësım : 24.01.2020
"Largimi i Haftarit, një domosdoshmëri për demokracinë libiane"

Tripoli

Kreu i Këshillit të Lartë të Shtetit të Libisë, Khalid al-Mishri tha se largimi i komandantit renegat, Khalifa Haftar, është një domosdoshmëri për procesin e demokracisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Libi.

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), Al-Mishri thekson nevojën për të përfunduar periudhën aktuale të përkohshme dhe për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.

Por, siç thotë ai, procesi demokratik nuk mund të ecë përpara përderisa forcat e Haftarit janë të pranishme si një fuqi e rebelimit ushtarak, pasi kjo do të kërcënonte çdo pushtet të zgjedhur legjitim në të ardhmen.

“Ne në asnjë mënyrë nuk do ta lejojmë Haftarin të qëndrojë në skenë, sepse kjo do të nënkuptonte se ai ka aftësinë të kthehet kundër pushtetit legjitim. Largimi i atyre që kanë një projekt ushtarak dhe që qëndrojnë kundër demokracisë është një domosdoshmëri”, deklaroi Al-Mishri.

Më 12 janar, palët në konfliktin e Libisë paralajmëruan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk dhe atij rus. Por, bisedimet për një armëpushim të përhershëm përfunduan pa marrëveshje pasi Haftari u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen.

Më 19 janar, Haftari në Berlin pranoi të caktojë anëtarët e një Komisioni ushtarak të propozuar nga Kombet e Bashkuara (OKB), me nga pesë anëtarë nga secila palë, me qëllim për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.

Megjithatë, milicitë e Haftarit vazhdojnë të sulmojnë Tripolin dhe të shkelin armëpushimin. Sulmi i fundit ndodhi dje ndaj Aeroportit Ndërkombëtar Mitiga në kryeqytetin Tripoli.

Forcat e Haftarit, të cilat morën mbështetje nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, filluan një ofensivë të madhe ushtarake në prill të vitit të kaluar për të pushtuar Tripolin nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA), veprim i cili tërhoqi një kundërshtim ndërkombëtar.

Sipas OKB-së, mbi një mijë persona janë vrarë që nga fillimi i ofensivës dhe mbi 5 mijë të tjerë u plagosën.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, njëra në lindje të Libisë e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërsa tjetra GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Armëpushimi delikat

“Ne kemi aftësinë për të zbrapsur shkeljet. Aktualisht aftësitë tona janë më të mira dhe nëse shkeljet vazhdojnë ne do të zhvendosemi nga mbrojtja në sulm dhe do t’i japim fund rebelimit”, thekson Al-Mishri.

Sipas tij, Komisioni i përbashkët ushtarak, i propozuar nga OKB-ja dhe që synon vendosjen e mekanizmave për të garantuar armëpushimin e përhershëm pritet të thirret së shpejti. Ai shtoi se GNA aktualisht po i jep një mundësi komisionit që të zhvillojë rolin e tij dhe të dialogut politik.

“Ne kemi qenë rezistencë në përpjekjen për të arritur armëpushim për të shpëtuar jetën e libianëve”, thotë Al-Mishri, duke shtuar se GNA aktualisht ka një qëndrim mbrojtës, por se ky qëndrim nuk do të vlejë përgjithmonë dhe se agresioni duhet të përfundojë.

Lidhur me rolin e Rusisë në sigurimin e armëpushimit në Libi, Al-Mishtri tha se Rusia po të kishte aftësinë ta bindë Haftarin t’i përmbahet armëpushimit, kjo do të ndodhte në Moskë, ku Haftari u largua pa nënshkruar marrëveshjen. Ai pohon se kjo e vendos Rusinë “në një pozitë të vështirë”, pas të gjitha përgatitjeve për bisedimet.

Duke iu referuar mekanizmave në terren për të shmangur shkeljet e armëpushimit, Al-Mishtri pohon se GNA nuk insiston të ketë forca paqeruajtëse të OKB-së, por insiston në marrjen e mbështetjes ushtarake për forcat qeveritare për të mposhtur agresionin e Haftarit.

Siç thotë ai, pas bisedimeve në Moskë, GNA nuk kishte pritje të mëdha nga Konferenca e Berlinit pasi atje ende nuk ka garnaci kundër shkeljeve të marrëveshjeve.

“Pa sanksione të vërteta, nuk do të ketë asnjë marrëveshje të vërtetë”, thekson Al-Mishri.

"Nuk do të ketë bisedime të tjera me Haftarin"

Duke folur për kundërshtimin e kryeministrit Fayez al-Sarra për zhvillimin e bisedimeve me Haftarin, Al-Mishri tha se “Haftari kreu krime të shumta kundër njerëzimit dhe krime të luftës dhe për këtë arsye ai nuk duhet të shpërblehet duke u ulur me të (në tryezën e bisedimeve) ose t’i japë atij ndonjë pozicion”.

“Ne nuk kemi armiqësi me askënd, por kriminelët duhet të mbajnë përgjegjësi, të mos shpërblehen. Ky është një parim themelor”, shtoi Al-Mishri.

Duke reaguar ndaj mbylljes së porteve të naftës dhe disa puseve të naftës në Libi nga Haftari, Al-Mishri pohoi se “të gjithë libianët kanë të drejtë ndaj naftës libiane dhe kjo është burimi kryesor i të ardhurave të vendit”.

Ai thotë se beson që kjo krizë, e cila prek shumë vende, do të zgjidhet brenda një jave ose dy, duke shtuar se Haftari nuk arriti të përdorë kartën e naftës për të ushtruar presion në Konferencën e Berlinit.

Al-Mishri foli edhe për marrëdhëniet me Turqinë, duke e përshkruar këtë vend si “partner strategjik”.

Marrëveshjet e fundit midis Turqisë dhe Libisë, thekson ai, lehtësuan mbajtjen e Konferencës së Berlinit dhe i bënë evropianët t’i kushtojnë vëmendje rëndësisë së Libisë, sepse sipas tij, Libia sinqerisht ishte lënë pas dore për një kohë të gjatë.

“Ne kemi një prodhim të madh të naftës dhe po ashtu duhet të ndërtojmë infrastrukturën”, tha Al-Mishri duke shtuar se Turqia ka aftësi të ndihmojë Libinë në ndërtimin e infrastrukturës.

Ai tha se Libia, nga ana e saj, mund të “inkurajojë eksportet e naftës dhe turizmit në Turqi”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.