Lansohet agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA e ristrukturuar
Agjencia zyrtare siriane e lajmeve SANA prezantoi pamjen dhe logon e saj të re në një ceremoni të mbajtur në Damask, ku mori pjesë edhe Anadolu

Damask
Lansimi i agjencisë shtetërore siriane të lajmeve SANA me strukturën dhe vizionin e saj të ri editorial u mbajt në Qendrën Kombëtare për Artet Pamore në Damask, ku morën pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar dhe shumë ambasadorë, raporton Anadolu.
Përveç anëtarëve të qeverisë siriane, në lansimin e agjencisë morën pjesë edhe zv/drejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i Anadolu-t, Yusuf Özhan, si dhe ambasadorë nga shumë vende.
Në ceremoni u shfaq një video promovuese rreth pamjes së re të agjencisë SANA. Videoja paraqiti vizualisht ngjarje të rëndësishme në Siri gjatë dhjetë viteve të fundit.
Fjalë në ceremoninë e hapjes u mbajtën nga drejtori i përgjithshëm i SANA-s, Ziad al-Mohameed dhe ministri i Informacionit, Hamza al-Mustafa.
Buzëqeshje në fytyrë
Në fjalën e tij, Özhan, zv/drejtori i përgjithshëm i Anadolu-t, shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë aktivitet në kryeqytetin sirian.
Özhan theksoi se Siria ka qenë në konflikt të ashpër për dhjetë vitet e fundit dhe se vendi shpesh ka qenë në media për shkak të shkatërrimit dhe masakrave të regjimit të Bashar al-Assadit.
“Megjithatë, sot është jashtëzakonisht inkurajuese për ne të shohim kolegët tanë sirianë që shikojnë drejt së ardhmes me shpresë dhe një buzëqeshje në fytyrë”, shtoi ai.
Ai theksoi progresin e dukshëm në rindërtim në të gjithë vendin, duke shtuar: “Teksa ecim nëpër rrugë, ne dëshmojmë këto punime. Si pjesë e kësaj, ne kemi parë edhe Agjencinë Siriane të Lajmeve duke punuar në mënyrë intensive”.
Ai kujtoi se ka diskutuar këto tema me drejtorin e përgjithshëm të SANA-s, al-Mohameed, gjatë vizitave të tij të mëparshme dhe theksoi se Anadolu, si një agjenci simotër, po eksploronte mënyra për të bashkëpunuar me SANA-n në të ardhmen.
Özhan gjithashtu tha se dizajni i ri i logos së Agjencisë Siriane të Lajmeve u prezantua si pjesë e programit.
“U organizuan prezantime të ndryshme që tregojnë gjurmë të ndryshimeve në redaksi. Pas fjalimeve të hapjes, u shfaq një video jashtëzakonisht mbresëlënëse rreth ngjarjeve në Siri gjatë dekadës së fundit”, tha ai.
Ai tha se ata, ashtu si Anadolu, ndodhen në Damask për të ofruar mbështetje morale dhe profesionale për gazetarët e tjerë në Siri dhe për të diskutuar projekte të përbashkëta paraprake në të ardhmen.
Zhvillimi i bashkëpunimit me Anadolu-n
Al-Mohameed, drejtori i përgjithshëm i SANA-s, nga ana e tij, tha se agjencia ka përfunduar ristrukturimin e saj me një linjë të re editoriale dhe një gjuhë moderne mediatike, duke arritur një pozicion të fuqishëm.
Ai theksoi se fytyra e re e SANA-s, me një qasje moderne dhe dinamike mediatike, praktikisht shënoi fillimin e saj të ri.
“Përveç kësaj, ne kemi krijuar një drejtori të posaçme për median digjitale. Agjencia jonë do të jetë aktive në rrjetet sociale. Gjithashtu kemi lansuar një faqe interneti të re të pajisur me mjete moderne për të rritur performancën”, tha ai.
Al-Mohameed gjithashtu theksoi se Sana, e cila më parë kishte një strukturë të izoluar dhe të mbyllur, tani po hap dyert e saj për të gjitha mediat vendase dhe ndërkombëtare.
“Projektet janë në tryezë për të nënshkruar protokolle bashkëpunimi me shumë agjenci ndërkombëtare dhe arabe, kryesisht me Anadolu-n”, theksoi ai.
Ai njoftoi se së shpejti në kuadër të kësaj do të organizojë një vizitë në Anadolu, duke shtuar se do të zhvillojë mundësi për bashkëpunim me agjencinë turke të lajmeve.
Anadolu si frymëzim
Al-Mustafa, ministri sirian i Informacionit, tha se lansimi i SANA-s ishte një pikë kthese dhe se agjencia nuk perceptohet më si një blog shtetëror, por si një shërbim profesional lajmesh.
Ai theksoi se kjo qasje u formësua nga puna e agjencive institucionale dhe profesionale si Anadolu.
“Anadolu ishte një nga modelet e frymëzimit në procesin tonë të ristrukturimit. Përveç kësaj, ne përdorim edhe shembuj të tjerë”, tha ai.
Ministri sirian theksoi rëndësinë e vendosjes së bashkëpunimit me agjencitë profesionale, veçanërisht Anadolu-n, për shkak të shtrirjes dhe ndikimit të saj të madh.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.