Këshilli lokal francez bën thirrje për përjashtimin e Izraelit nga Shfaqja Ajrore e Parisit
Stephane Troussel, president i Këshillit të Seine-Saint-Denis, në rrjetet sociale tha se nuk do të marrë pjesë në hapjen protokollare të ngjarjes, e cila pritet të inaugurohet nga presidenti Macron dhe kryeministri Bayrou

Stamboll
Këshilli departamental Seine-Saint-Denis, një rreth në zonën metropolitane të Parisit, ka bërë thirrje që Izraelit t’i ndalohet pjesëmarrja në Shfaqjen Ajrore të Parisit, e cila do të zhvillohet nga 16 deri më 22 qershor në Le Bourget, transmeton Anadolu.
Stephane Troussel, president i Këshillit të Seine-Saint-Denis, në rrjetet sociale tha se nuk do të marrë pjesë në hapjen protokollare të ngjarjes, e cila pritet të inaugurohet nga presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri François Bayrou.
Ai shprehu kundërshtim të fortë ndaj pranisë së kompanive izraelite në ekspozitë.
“Ne nuk mund t’i shtrojmë tapetin e kuq një shteti të akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për veprime që mund të përbëjnë gjenocid, ndërsa në të njëjtën kohë pretendon se është i përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut”, tha Troussel.
Ai konfirmoi se këshilli ka miratuar një rezolutë gjatë seancës së tij, duke i bërë thirrje Francës të njohë zyrtarisht Shtetin e Palestinës, të përjashtojë Izraelin nga Shfaqja Ajrore e Parisit, të kërkojë një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe të sigurojë qasje të papenguar humanitare në enklavën e rrethuar.
"Ne do të vazhdojmë të mbështesim qytetet tona binjake në Palestinë dhe të kontribuojmë në rindërtimin e rajonit", tha Troussel, duke theksuar se "heshtja dhe indiferenca nuk është më një opsion".
Sipas të përditshmes franceze ‘20 Minutes’, rezoluta u miratua unanimisht nga anëtarët e këshillit.
Edicioni i 55-të i Shfaqjes Ajrore të Parisit, një nga ngjarjet më të mëdha hapësinore në botë, do të bashkojë kompani nga e gjithë bota. Ajo është planifikuar të zhvillohet nga 16 deri më 22 qershor në Le Bourget, i vendosur në departamentin Seine-Saint-Denis, jashtë kryeqytetit francez.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.