Bota

Kuvendi i Shqipërisë rrëzon kërkesën për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi

Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike, kishte kërkuar shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, me pretendimin se ka shkelur rregulloren e Kuvendit

Fatjon Cuka  | 30.10.2025 - Përdıtësım : 31.10.2025
Kuvendi i Shqipërisë rrëzon kërkesën për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD), për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi, raporton Anadolu.

Me 79 vota kundër, 10 vota pro dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë kërkesa u rrëzua, ndërsa deputetët e PD-së nuk morën pjesë në votim.

Gjatë fjalës në seancë Peleshi u shpreh se reagimi i deputetëve të opozitës me këtë kërkesë është "asgjë më shumë se sa përpjekje për ta vendosur kryetarin e Kuvendit nën presionin e së shkuarës".

"Problemi nuk jam unë, por mungesa e vullnetit për t'u angazhuar në një sjellje të re politike. Në respektim real, jo fals, të Kushtetutës, rregullores dhe traditës parlamentare. Kushtetuta, rregullorja apo tradita parlamentare garantojnë të drejtat e deputetit, por gjithashtu ndalojnë keqpërdorimin e të drejtës. Keqpërdorimi i të drejtës duhet të jetë vija e kuqe ku mbaron e drejta jonë për të folur e për t'u dëgjuar", tha Peleshi.

Peleshi theksoi se do të përpiqet dhe do të bëjë gjithçka ka ai ka dorë që Parlament t'i ngjasojë, sipas tij, gjithnjë e më tepër një parlamenti evropian.

Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike, dorëzoi më 19 shtator kërkesë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, me pretendimin se ka shkelur rregulloren e Kuvendit me seancën për miratimin e programit të qeverisë së re dhe ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit.

Më 18 shtator, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa debat programin e qeverisë së re të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe përbërjen e saj, seancë e cila u kundërshtua nga deputetët e opozitës.

Sipas opozitës, Peleshi ka kryer veprime në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, si dhe ka mohuar të drejtat e deputetëve të opozitës.

Niko Peleshi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Shqipërisë më 12 shtator, propozuar dhe mbështetur nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın