Bota

Kuvendi i Kosovës shënon dështimin e 40-të për konstituim

Nga Zyra e Presidentes së Kosovës, kanë bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani, së shpejti do t'i thërrasë liderët politikë për të diskutuar në mënyrë që Kuvendi të konstituohet deri më 26 korrik më së largu, sipas Gjykatës Kushtetuese

Agim Sulaj  | 01.07.2025 - Përdıtësım : 02.07.2025
Kuvendi i Kosovës shënon dështimin e 40-të për konstituim Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as pas përpjekjes së 40-të me radhë, për shkak të mungesës së votave për votimin e kryetarit të Kuvendit, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 100 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 51 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

"Ndërpritet seanca, shihemi përsëri më 3 korrik në orën 11:00", tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Më 28 qershor u zhvillua një takim midis krerëve të partive parlamentare, me qëllim të gjetjes së një konsensusi politik për formimin e institucioneve të reja, por, pa rezultate konkrete.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu.

Në aktgjykimin e publikuar gjykata po ashtu konstatoi që seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimi i saj çdo 48 orë, nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.

Së fundmi, nga Zyra e Presidentes së Kosovës, kanë bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani, së shpejti do t’i thërrasë liderët politikë për të diskutuar në mënyrë që Kuvendi të konstituohet deri më 26 korrik më së largu, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.