Kryqi i Kuq "thellë i alarmuar" për situatën në Idlib
Personat e zhvendosur nuk kanë mundësi për siguri themelore për veten e tyre, thonë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq

Gjenevë
Zëdhënësja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Ruth Hetherington, ka thënë se Kryqi i Kuq është "thellë i alarmuar" nga përkeqësimi i shpejtë i kushteve të sigurisë dhe jetesës së qindra mijëra civilëve të zhvendosur së fundmi në Idlib, në veriperëndim të Sirisë, raporton Anadolu Agnecy (AA).
Në një takim me gazetarët, Hetherington tha se personat e zhvendosur "nuk kanë mundësi për të gjetur sigurinë themelore për veten dhe familjet e tyre".
Duke theksuar shqetësimet ndërkombëtare në rritje për tragjedinë që po ndodh me civilët në veriperëndim të Sirisë, ajo tha: "Kjo është vala më e keqe e shpërnguljeve që kemi parë gjatë konfliktit Sirian".
"Në kohën e kushteve të vështira të dimrit në Idlib, ne shohim njerëz të bllokuar, të izoluar dhe të cilëve u mbarojnë mënyrat për të përballuar. Është plotësisht e papranueshme", tha Hetherington.
Ajo tha se përkeqësimi i qasjes në kujdesin mjekësor dhe furnizimet thelbësore për civilët në Idlib krijojnë situata kërcënuese për jetën që tashmë kanë çuar në vdekje që mund të parandaloheshin.
"Ulja e qasjes në kujdesin shëndetësor, kushtet e dobëta të jetesës dhe vështirësitë me zhvendosjen e lokacioneve janë ndër pasojat kryesore humanitare të armiqësive të Idlib", tha Hetherington.
Nga ICRC thonë se me luftimet e vazhdueshme dhe zhvendosjen e vijave të para të luftimeve, qasja ndaj aktivistëve humanitarë dhe vullnetarëve është sfiduese dhe e rrezikshme.
Hetherington citoi Fabrizio Carbonin, drejtorin e ICRC-së me seli në Gjenevë për Lindjen e Afërt dhe të Mesme, duke thënë: "Ne u bëjmë thirrje palëve të përfshira që të lejojnë civilët të lëvizin drejt zonave të sigurta, qoftë brenda zonave që ata kontrollojnë, ose përtej vijave të para".
"Realiteti i përditshëm i motit të ftohtë, të lagësht dhe me dëborë po iu bashkohet kushteve që krijojnë dëm serioz", tha Hetherington.
"Nëse civilët duhet të ikin për arsye sigurie, duhet të merren të gjitha masat e mundshme për të siguruar që anëtarët e së njëjtës familje të mos ndahen dhe që të gjithë të zhvendosen në kushte të volitshme të strehimit, higjenës, shëndetit, sigurisë dhe ushqimit", tha ajo.
Idlibi, që ndodhet në afërsi të kufirit jugor të Turqisë, bën pjesë në zonën e deeskalimit të përcaktuar në marrëveshjen mes Turqisë dhe Rusisë në shtator të vitit 2018.
Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij vazhdimisht kanë shkelur kushtet e armëpushimit duke kryer sulme të shpeshta brenda zonës.
Zona e deeskalimit aktualisht është e banuar nga 4 milionë civilë, përfshirë edhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga forcat e regjimit nga qytetet e tyre nëpër vite në shtetin e shkatërruar nga lufta.
Turqia ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve ndaj Idlibit, si dhe për zbatimin e armëpushimi, duke e ftuar bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.