Kryqi i Kuq: Përmbytjet në Pakistan kanë vrarë 884 persona, mbi 1 milion janë zhvendosur
Që nga fundi i qershorit, shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, rrëshqitje dheu dhe shkatërrime në pothuajse çdo provincë

Gjenevë
Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) paralajmëroi se Pakistani po përballet me një nga stinët më të këqija të musoneve në kohët e fundit, me përmbytje që morën qindra jetë dhe zhvendosën më shumë se një milion njerëz, transmeton Anadolu.
Farid Abdulkadir Aiywar, kreu i delegacionit të IFRC për Pakistanin, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mos e neglizhojë katastrofën që po zhvillohet.
"Ndërsa vëmendja globale me të drejtë është kthyer te tërmeti shkatërrues në Afganistan, duhet të bëj thirrje të mos harrojmë një tjetër tragjedi që po zhvillohet", u tha Aiywar gazetarëve.
Që nga fundi i qershorit, shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, rrëshqitje dheu dhe shkatërrime në pothuajse çdo provincë, duke përfshirë Khyber Pakhtunkhwa, Punjab, Sindh, Balochistan, Gilgit-Baltistan dhe Azad Xhamu dhe Kashmir.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive, të paktën 884 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur që nga 5 shtatori. Më shumë se 1 milion banorë janë evakuuar, ndërsa gati 9.400 shtëpi janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht. Përmbytjet kanë zhdukur gjithashtu mbi 6.180 bagëti, duke i shkëputur komunitetet nga uji i pastër, ushqimi dhe kujdesi shëndetësor.
Aiywar tha se IFRC dhe Gjysmëhëna e Kuqe e Pakistanit po rrisin ndihmën emergjente, por theksoi se nevojitet solidaritet më i madh ndërkombëtar.
"Kriza është larg përfundimit. Komunitete të tëra mbeten nën ujë, familjet kanë humbur gjithçka dhe qasja në ujë të sigurt dhe kujdes shëndetësor po bëhet gjithnjë e më urgjente çdo ditë", shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.