Kryeqyteti indonezian Xhakarta me 42 milionë banorë bëhet qyteti më i populluar në botë
Kryeqyteti i Indonezisë, Xhakarta, me një popullsi prej 42 milionë banorësh ka tejkaluar Tokion dhe është bërë qyteti më i populluar në botë, tregon raporti i OKB-së
Istanbul
Kryeqyteti i Indonezisë, Xhakarta, me një popullsi prej 42 milionë banorësh ka tejkaluar Tokion dhe është bërë qyteti më i populluar në botë, transmeton Anadolu.
Njësia për Popullsinë e Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të OKB-së publikoi raportin për Pritshmëritë e Urbanizimit Botëror për vitin 2025. Raporti vlerësoi popullsinë e Xhakartës në 42 milionë banorë, ndërsa kryeqyteti i Bangladeshit, Dhaka, u rendit i dyti me 37 milionë. Tokio, i cili u rendit i pari në raportin e OKB-së për vitin 2018, ra në vendin e tretë me një popullsi prej 33 milionë banorësh.
Në vitin 1950 vetëm 20 për qind e popullsisë së botës jetonte në qytete, por sot kjo shifër ka arritur afërsisht 50 për qind. Raporti thekson se dy të tretat e rritjes së popullsisë së botës deri në vitin 2050 pritet të ndodhë në qytete ndërsa pjesa tjetër në qyteza dhe vendbanime të vogla.
Numri i qyteteve të mëdha është rritur nga 8 në vitin 1975 në 33 në vitin 2025. Nëntë nga 10 qytetet më të populluara në botë janë në Azi (Xhakarta, Dhaka, Tokio, New Delhi, Shangai, Guangzhou, Kajro, Manila, Kalkuta dhe Seuli).
Shkalla e rritjes së popullsisë së kryeqytetit të Japonisë, Tokios, u ngadalësua gjatë pandemisë së COVID-19, por tani po rimëkëmbet falë fluksit të të rinjve që kërkojnë punësim dhe mundësi arsimore, thuhet në raport.
Li Junhua nga Departamenti i Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të OKB-së thotë se urbanizimi është fenomen përcaktues i kohës sonë. "Kur menaxhohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe strategjike, ai mund të krijojë mundësi transformuese për veprim klimatik, rritje ekonomike dhe barazi sociale", tha ai.
