Kryeqyteti i ri ambicioz i Indonezisë, Nusantara përballet me frikën e një "qyteti fantazmë"
Vetëm rreth 2.000 nëpunës civilë dhe 8.000 punëtorë ndërtimi jetojnë aktualisht në qytet, shumë më poshtë objektivit të vitit 2030 prej 1.2 milion
Ankara
Kryeqyteti i ri futuristik i Indonezisë, Nusantara, dikur i parashikuar si qytet i gjelbër model për të zëvendësuar Xhakartën e mbipopulluar, tani po përballet me shqetësime në rritje se mund të bëhet "qytet fantazmë", për shkak të shkurtimeve të fondeve, ndërtimit të ngadaltë dhe zhvendosjes minimale të nëpunësve publikë, transmeton Anadolu.
E vendosur thellë në pyjet e Kalimantanit Lindor në ishullin Borneo, Nusantara ka shënuar rënie dramatike të fondeve shtetërore nën presidentin Prabowo Subianto, nga 2.4 miliardë dollarë në vitin 2024 në 850 milionë dollarë në vitin 2025, raportoi të mërkurën "The Guardian".
Vetëm 365 milionë dollarë janë ndarë për vitin e ardhshëm, që është një e treta e asaj që kishin kërkuar zyrtarët. Investimet private kanë rënë me më shumë se 1.22 miliardë dollarë nën objektivin e tyre.
Presidenti, i cili mori detyrën në tetor 2024, ende nuk e ka vizituar vendin. Në maj, ai e riklasifikoi Nusantarën në heshtje si një "kryeqytet politik", një ndryshim statusi që u bë publik vetëm në shtator.
Vetëm rreth 2.000 nëpunës civilë dhe 8.000 punëtorë ndërtimi jetojnë aktualisht në qytet, shumë më poshtë objektivit të vitit 2030 prej 1.2 milion. Ndërsa ndërtesat e ministrive, rrugët, spitalet dhe një pallat presidencial janë ndërtuar, pjesa më e madhe e qytetit mbetet e papërfunduar.
Pavarësisht kësaj, kreu i Autoritetit të Kryeqytetit Nusantara, Basuki Hadimuljono, mbrojti projektin, duke thënë: "Financimi është aty, angazhimi politik është aty. Pse duhet ta dyshojmë këtë?".
Ai pretendon se shkurtimet buxhetore u "rialokuan, jo u shkurtuan" dhe përmendi premtimin personal të Prabowo-s për ta "përfunduar këtë edhe më shpejt". Megjithatë, banorët dhe bizneset përreth Nusantarës raportojnë për ngadalësim të ndjeshëm.
Grupet mjedisore dhe indigjene gjithashtu ngritën alarmin. "OJF Walhi" tha se mbi 2.000 hektarë pyll mangrovësh janë shkatërruar.
Komunitetet Balik thonë se ndotja e ujit dhe përmbytjet janë përkeqësuar, duke ulur të korrat dhe duke kufizuar aksesin në ujë të pastër. Ndërsa qeveria i mohon këto pretendime, kritikët argumentojnë se Nusantara u ka bërë më shumë dëm sesa dobi komuniteteve lokale.
Edhe vizitorët e vënë re qetësinë e çuditshme. "Ndjehet si në Singapor", tha Clariza një turist nga Sulawesi.
"I pastër, modern por është gjithashtu i çuditshëm dhe i qetë. Nuk ka askush këtu ende", tha ai.
