Kryeministri spanjoll përsërit kundërshtimin ndaj luftës mes tensioneve për sulmet ndaj Iranit
Sanchez tha se Spanja po udhëheq përpjekjet për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut teksa tensionet rriten pas sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit
Bruksel
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj luftës, duke theksuar se Spanja po udhëheq përpjekjet për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut teksa tensionet rriten pas sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit, transmeton Anadolu.
Duke folur në një tubim elektoral, Sanchez hodhi poshtë kritikat nga opozita, Partia Popullore (PP) dhe Vox, të cilat kanë argumentuar se qëndrimi i Spanjës e ka izoluar vendin.
“Mund të keni dëgjuar se Spanja është vetëm. Janë të njëjtët njerëz që thanë këtë kur ne njohëm Shtetin e Palestinës dhe më pas të tjerët na ndoqën”, tha Sanchez.
“Ne nuk jemi vetëm. Ne jemi të parët. Ata që do të mbeten vetëm janë ata që mbrojnë të pambrojtshmen”, shtoi ai.
Sanchez tha se është krenar për qëndrimin e Spanjës, duke theksuar se vende të tjera kanë përkrahur qëndrimin e Madridit për konfliktin.
“Të shohësh përkrahjen e qëndrimit të Spanjës është një burim krenarie për të qenë spanjoll dhe për të parë se për çfarë qëndrojmë përballë barbarisë”, tha ai.
Teksa dënoi qeverinë iraniane për shtypjen e shoqërisë, Sanchez tha: “Nuk do t’i përgjigjemi një akti të paligjshëm me një tjetër. Dhuna sjell më shumë dhunë”.
Tensionet janë rritur pasi Madridi jo vetëm që dënoi sulmet ndaj Iranit, por edhe refuzoi t’i lejojë forcave amerikane të përdorin bazat ushtarake spanjolle për sulme, gjë që nxiti kërcënime për një embargo të plotë tregtare nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Izraeli dhe SHBA-ja kanë vazhduar një ofensivë të gjerë ndaj Iranit që nga e shtuna, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe ndaj vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
