Kryeministri spanjoll: Do të financojmë ndërtimin e 15 mijë shtëpive në vit
Pedro Sanchez njofton planin për të mobilizuar 25 miliardë dollarë për strehim, problemin kryesor të vendit
Oviedo
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez tha se një fond i ri investimi sovran do të ndihmojë në financimin e ndërtimit të deri në 15 mijë shtëpive me qira të përballueshme në vit, transmeton Anadolu.
Mjeti i investimit, i quajtur "Espana Crece", që do të thotë Spanja rritet, pritet të mobilizojë 23 miliardë euro për projekte strehimi, me 14 miliardë euro që vijnë nga financimi publik dhe 9 miliardë euro të tjera nga investitorë privatë, tha Sanchez.
"Ne duhet të ndërtojmë më shumë banesa, më shumë banesa publike dhe të përballueshme. Mungesa e financimit nuk mund të jetë një pengesë tjetër", tha ai.
Qeveria planifikon të financojë fondin me 10.5 miliardë euro kredi të papërdorura nga programi i rimëkëmbjes pas pandemisë i Bashkimit Evropian, së bashku me 2.8 miliardë euro në grante. Zyrtarët presin që kapitali të rritet përmes instrumenteve të borxhit dhe investimeve private, duke arritur potencialisht në 120 miliardë euro në financim total.
Strehimi do të jetë një nga shtyllat kryesore të fondit, së bashku me konkurrueshmërinë e biznesit, tranzicionin energjetik dhe dixhitalizimin. Qeveria gjithashtu synon të ripërdorë fondet e rimëkëmbjes së BE-së para se të skadojnë në vitin 2026 dhe të rrisë investimet mes një ngërçi buxhetor.
Të dhënat nga Eurostat-it tregojnë se çmimet e banesave në Spanjë u rritën me 12.8 për qind nga viti në vit në tremujorin e tretë të vitit 2025, ndër rritjet më të larta në Bashkimin Evropian dhe shumë mbi fitimet mesatare të bllokut prej 5.5 për qind në vit.
