Politikë, Bota

Kryeministri palestinez thirrje OKB-së lidhur me sulmet e kolonëve hebrenj

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave që u mbajt në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor nën pushtim, Shtayyeh bëri deklarata lidhur me sulmet në rritje të kolonëve hebrenj izraelitë në Bregun Perëndimor

Esat Fırat   | 18.10.2021
Kryeministri palestinez thirrje OKB-së lidhur me sulmet e kolonëve hebrenj

Kuds

Kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh, i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara (OKB) që të krijojë një bazë të dhënash për gjykimin e kolonëve hebrenj që sulmojnë pronat dhe palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor nën pushtim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave që u mbajt në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor nën pushtim, Shtayyeh bëri deklarata lidhur me sulmet në rritje të kolonëve hebrenj izraelitë në Bregun Perëndimor.

Duke i cilësuar si "terror" sulmet e kolonëve hebrenj, kryeministri Shtayyeh tha se "Terrori i kolonëve hebrenj nuk mundi ta frikësojë popullin tonë pronar të tokës, të të drejtave dhe të ullinjve. Këto kolonë janë mjetet e kolonializmit në territoret tona".

Shtayyeh theksoi se kolonët hebrenj agresorë duhet të gjykohen. "E ftoj OKB-në që të krijojë një bazë të dhënash në mënyrë që kolonët hebrenj të gjykohen për shkak të veprimeve të tyre ilegale terroriste", shtoi ai.

Pasi tërhoqi vëmendjen se kolonët hebrenj nuk mund të pengojnë fermerët palestinezë të hyjnë në tokat e tyre dhe të vjelin ullinj, Shtayyeh u bëri thirrje nxënësve dhe të rinjve që të ndihmojnë fermerët palestinezë për vjeljen e ullinjve.

Kolonët hebrenj që banojnë në territoret palestineze nën pushtim, shpeshherë sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor, djegin ose i presin pemët e ullinjve të cilët janë burimi më i rëndësishëm i jetës së tyre si dhe dëmtojnë produktet dhe pronat e tyre.

Përveç kësaj, kolonët hebrenj sulmojnë fermerët palestinezë kryesisht në periudhën e vjeljes së ullinjve.

Në Bregun Perëndimor që Izraeli pushtoi në vitin 1967 ndodhen mbi 250 vendbanime të paligjshme të kolonëve hebrenj. Rreth 450 mijë kolonë hebrenj që banojnë në këto vende, e vështirësojnë edhe më shumë jetën për palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor nën pushtim.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın