Bota

Kryeministri palestinez shpreh “gatishmërinë” e qeverisë së tij për të marrë përgjegjësi në Gaza

Këto komente ai i bëri në fillim të mbledhjes javore të Kabinetit në Ramallah, një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza

Rania R.a. Abushamala  | 01.10.2025 - Përdıtësım : 01.10.2025
Kryeministri palestinez shpreh “gatishmërinë” e qeverisë së tij për të marrë përgjegjësi në Gaza

Ramallah

Kryeministri palestinez, Mohammad Mustafa, ka deklaruar se qeveria e tij është e gatshme të marrë përgjegjësi në Rripin e Gazës dhe po punon për të bashkuar institucionet me Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.

Siç njofton zyra e kryeministrit palestinez, këto komente ai i bëri në fillim të mbledhjes javore të Kabinetit në Ramallah, një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Mustafa theksoi gatishmërinë e qeverisë së tij për “të marrë përgjegjësitë e saj të plota kombëtare, qoftë në ndihmë të menjëhershme apo në përpjekjet e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të Gazës apo në vazhdimin e reformave gjithëpërfshirëse kombëtare që kanë qenë në proces për disa kohë”.

Dje, Palestina përshëndeti planin e Trumpit për të ndaluar luftën izraelite në Gaza dhe u zotua të punojë së bashku me SHBA-në, vendet rajonale dhe partnerët për “t'i dhënë fund luftës në Gaza përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse".

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump përshkroi pikat kryesore të planit të tij, përfshirë lirimin e pengjeve izraelite brenda 72 orëve, një armëpushim dhe çarmatimin e Hamasit.

Ai tha se plani kërkon krijimin e një organi mbikëqyrës ndërkombëtar, të kryesuar nga i, për të mbikëqyrur trajnimin e një administrate për të qeverisur Gazën, duke përjashtuar Hamasin dhe pa përfshirë Autoritetin Palestinez.

Sipas propozimit, Bordi Ndërkombëtar i Autoritetit Ndërkombëtar Kalimtar të Gazës (GITA) do të emërojë komisarë dhe do të mbikëqyr administratën e Gazës përmes një "sekretariati ekzekutiv", përgjegjës për qeverisjen dhe koordinimin e përditshëm.

Në bazë të strukturës do të jetë Autoriteti Ekzekutiv Palestinez, një organ tjetër nga Autoriteti Palestinez në Bregun Perëndimor.

Mustafa riafirmoi "përpjekjet e vazhdueshme" për të unifikuar institucionet kombëtare si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor, si dhe ligjet në fuqi në mënyrë që të gjitha përpjekjet të përkthehen në realitet të prekshëm dhe të forcojnë sigurinë dhe stabilitetin.

Kryeministri palestinez gjithashtu tha se “deklarata historike” e New Yorkut në muajin shtator, njohja në rritje e shtetit të Palestinës dhe planet dhe iniciativat pasuese ndërkombëtare për t'i dhënë fund luftës janë të gjitha zhvillime mbi të cilat duhet të ndërtohet për të parandaluar zhvendosjen dhe aneksimin, për “t'u përballur me përpjekjet për të minuar Autoritetin Kombëtar Palestinez dhe për të konsoliduar rrugën drejt krijimit të një shteti të pavarur palestinez dhe realizimit të aspiratave të popullit tonë për liri dhe pavarësi".

Më 23 shtator, Konferenca për Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete në New Jork, e bashkëkryesuar nga Arabia Saudite dhe Franca, miratoi Deklaratën e Neë Yorkut, e cila erdhi pas konferencës së parë ndërkombëtare në mbështetje të zgjidhjes me dy shtete, të mbajtur në Neë York në muajin korrik.

Ajo riafirmoi angazhimin ndërkombëtar për zgjidhjen me dy shtete dhe vendosi një kurs të pakthyeshëm drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për palestinezët, izraelitët dhe të gjithë popujt e rajonit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.