Kryeministri Kurti priti në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi
- Kurti dhe Gashi diskutuan për raportet dypalëshe Kosovë-Maqedoni e Veriut, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për zhvillimet e fundit në të dy vendet.
Kosova
PRISHTINË (AA) - Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari dhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mirëpriti kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, transmeton Anadolu.
Zyra e Kryeministrit për takimin të cilin e quajti "miqësor dhe të përzemërt", njofton se Kurti dhe Gashi diskutuan për raportet dypalëshe Kosovë-Maqedoni e Veriut, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për zhvillimet e fundit në të dy vendet.
Bëhet e ditur se në takim u veçuan efektet pozitive të marrëveshjeve ndërshtetërore për qytetarët e dy vendeve, me theks te ato që kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, si rasti me dy pikëkalimet e përbashkëta kufitare Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboçicë-Jazhincë dhe projektet infrastrukturore si ai i rrugës Prizren-Tetovë.
