Kryeministri izraelit urdhëron ndalimin e projektligjeve për aneksimin e Bregut Perëndimor pas kritikave nga SHBA-ja
Netanyahu e quajti votimin për projektligjet e aneksimit të Bregut Perëndimor "një provokim të qëllimshëm politik nga opozita për të mbjellë përçarje gjatë vizitës së zv/presidentit JD Vance në Izrael"
Stamboll
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka urdhëruar koalicionin e tij qeverisës të mos miratojë projektligje për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar në Knesset pas kritikave nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.
Kreu i koalicionit qeverisës, Ofir Katz, tha se Netanyahu e udhëzoi atë “të mos miratojë propozime në lidhje me zbatimin e sovranitetit në Jude dhe Samaria (Bregu Perëndimor) deri në një njoftim të mëtejshëm”, raportoi e përditshmja Yedioth Ahronoth.
Dje, Knesset miratoi në një lexim paraprak dy projektligje për aneksimin e Bregut Perëndimor dhe bllokun e vendbanimeve Ma'ale Adumim. Të dy projektligjet duhet të kalojnë tre lexime shtesë për t'u bërë ligj.
Ky veprim shkaktoi reagime të forta nga SHBA-ja, me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që tha se nuk do ta lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor. Zv/presidenti i tij, JD Vance, i cili sot përfundoi një vizitë 3-ditore në Izrael, gjithashtu e quajti votimin në Knesset "një marifet politik idiot".
Netanyahu, nga ana e tij, e quajti votimin për projektligjet e aneksimit të Bregut Perëndimor "një provokim të qëllimshëm politik nga opozita për të mbjellë përçarje gjatë vizitës së zv/presidentit JD Vance në Izrael".
Në një deklaratë nga zyra e tij, Netanyahu tha se dy projektligjet u sponsorizuan nga anëtarët e opozitës në Knesset.
"Partia Likud dhe partitë fetare (anëtarët kryesor të koalicionit) nuk votuan për këto projektligje, përveç një anëtari të pakënaqur të partisë Likud, i cili u shkarkua së fundmi nga kryesia e një komiteti të Knessetit. Pa mbështetjen nga Likud, këto projektligje nuk ka gjasa të shkojnë askund”, tha Netanyahu.
Aneksimi i Bregut Perëndimor do t'i jepte fund në mënyrë efektive mundësisë së zbatimit të një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, siç përcaktohet në rezolutat e OKB-së.
Në një mendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
