Kryeministri izraelit mbledh sot qeverinë për të miratuar marrëveshjen për Gazën
Netanyahu e quan këtë një "ditë të madhe" për Izraelin pasi Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi nënshkruan fazën e parë të marrëveshjes së propozuar nga SHBA-ja

Washington
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se do të mbledhë qeverinë të enjten për të miratuar një marrëveshje të arritur për Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
"Një ditë e madhe për Izraelin", tha Netanyahu në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.
Komentet e tij erdhën menjëherë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe grupi palestinez Hamas kanë nënshkruar fazën e parë të marrëveshjes të propozuar nga SHBA-ja për Rripin e Gazës.
Netanyahu falënderoi Trumpin dhe ekipin e tij për "përkushtimin e tyre ndaj këtij misioni të shenjtë të lirimit të pengjeve tona".
"Me ndihmën e Zotit, së bashku do të vazhdojmë të arrijmë të gjitha qëllimet tona dhe të zgjerojmë paqen me fqinjët tanë", shtoi ai. Më vonë ai tha se me miratimin e fazës së parë të planit, të gjithë pengjet izraelite do të kthehen në shtëpi.
"Ky është sukses diplomatik dhe fitore kombëtare dhe morale për shtetin e Izraelit. Që nga fillimi, e bëra të qartë: nuk do të pushojmë derisa të kthehen të gjithë pengjet tona dhe të arrihen të gjitha qëllimet tona", tha ai.
Netanyahu tha se falë "përpjekjeve të mëdha" të Trumpit, u arrit kjo "pikë kthese kritike".
"Falënderoj presidentin Trump për lidershipin e tij, partneritetin e tij dhe angazhimin e tij të palëkundur për sigurinë e Izraelit dhe lirinë e pengjeve tona", shtoi ai.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, nga ana e tij, falënderoi Netanyahun dhe Trumpin për marrëveshjen.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë gati 67.200 palestinezë në Rripin e Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë enklavën të pabanueshme.
Katz gjithashtu falënderoi ushtarët "heroikë" izraelitë.
"Përqafoj ngrohtësisht familjet e pengjeve për kthimin e pritur të të dashurve të tyre, përfshirë ushtarët e IDF dhe heronjtë e rënë, në shtëpi së shpejti".
Ushtria izraelite në një deklaratë tha se mirëpret "nënshkrimin e marrëveshjes për kthimin e pengjeve".
"Gjatë një vlerësimi të situatës të mbajtur gjatë natës, shefi i Shtabit të Përgjithshëm udhëzoi të gjitha forcat, si në vijat e frontit ashtu edhe në zonat e prapavijës, të përgatiten për mbrojtje të forta dhe të jenë të gatshme për çdo skenar", thuhet në një deklaratë të ndarë në X.
Gjithashtu thuhet se shefi i Shtabit të Përgjithshëm urdhëroi përgatitjet për të marrë përsipër operacionin për të rikthyer pengjet, i cili parashikohet të "kryhet me ndjeshmëri dhe profesionalizëm".
Ushtria izraelite "do të vazhdojë të veprojë për të arritur objektivat e luftës dhe për të mbrojtur qytetarët e shtetit të Izraelit në të gjitha frontet".