Kryeministri izraelit do të takohet me Trumpin këtë muaj për “të diskutuar” fazën e dytë të armëpushimit në Gaza
"Mendoj se do të zhvillojmë biseda shumë të rëndësishme në fund të muajit se si të sigurohemi që kjo fazë e dytë të arrihet", tha Netanyahu në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin gjerman, Friedrich Merz
Stamboll
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se këtë muaj do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të diskutuar fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, transmeton Anadolu.
"Mendoj se do të zhvillojmë biseda shumë të rëndësishme në fund të muajit se si të sigurohemi që kjo fazë e dytë të arrihet", tha Netanyahu në një konferencë të përbashkët për media në Kudsin Perëndimor me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
Pas kthimit të pengut të fundit izraelit nga Rripi i Gazës, tha ai, "shumë shpejt, presim të kalojmë në fazën e dytë, e cila është më e vështirë ose po aq e vështirë sa faza e parë e armëpushimit".
Grupi palestinez Hamas thotë se ka dorëzuar të 20 pengje të gjalla izraelite dhe mbetjet e të 28 të vrarëve.
Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Netanyahu tha se nuk do të tërhiqet nga politika edhe nëse i jepet një falje presidenciale për akuzat për korrupsion.
Javën e kaluar, kryeministri izraelit i paraqiti një kërkesë zyrtare presidentit izraelit, Isaac Herzog, duke kërkuar falje për akuzat për korrupsion që e kanë ndjekur për shumë vite.
Opozita izraelite i kërkoi presidentit Herzog të kushtëzojë çdo falje për Netanyahun me daljen e tij nga politika, duke theksuar se kërkesa përbën një pranim faji.
Në muajin janar, Netanyahu filloi seancat e marrjes në pyetje në lidhje me akuzat për korrupsion në rastet e përcaktuara 1000, 2000 dhe 4000, të cilat ai i mohon të gjitha.
Netanyahu gjithashtu përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, me Gjykatën Ndërkombëtare Penale që lëshoi urdhër-arreste ndaj tij dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, në nëntor të vitit 2024 për mizoritë në Gaza, ku mbi 70 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
