Kryeministri indian zhvillon bisedime me presidentin zviceran dhe homologun holandez në New Delhi
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka zhvilluar bisedime në New Delhi me presidentin e Zvicrës dhe kryeministrin e Holandës
New Delhi
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka zhvilluar bisedime në New Delhi me presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin dhe kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, tha se Modi zhvilloi diskutime “produktive” me Parmelin në margjinat e samitit të inteligjencës artificiale 2026
“Ata diskutuan forcimin e bashkëpunimit Zvicër–Indi në sferën ekonomike, përfshirë tregtinë, investimet dhe teknologjinë, si dhe partneritete të orientuara drejt së ardhmes në inovacionin e inteligjencës artificiale”, shkroi Jaiswal në platformën X.
Modi zhvilloi gjithashtu bisedime dypalëshe me homologun e tij holandez, Dick Schoof.
“Të dy liderët shkëmbyen mendime mbi shfrytëzimin e AI si një nxitës për transformimin ekonomik dhe shoqëror. Ata përshëndetën përfundimin e negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë Indi–BE dhe riafirmuan angazhimin për zbatimin e saj të hershëm”, tha Jaiswal.
Ai shtoi se palët ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit Indi–Holandë në teknologji dhe inovacion, si dhe për shfrytëzimin e mundësive të reja në partneritetin ekonomik.
Modi u takua edhe me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin shqyrtoi partneritetin strategjik Indi–Greqi, veçanërisht në tregti, mbrojtje, siguri, turizëm, kulturë dhe teknologji të reja, përfshirë AI.
Dy liderët diskutuan gjithashtu përmirësimin e ndërlidhjes, sidomos përmes Korridorit Ekonomik Indi-Lindja e Mesme-Evropë.
Në një takim tjetër, princi i kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, zhvilloi bisedime me Modin. Të dy palët riafirmuan rëndësinë e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës Indi–Emiratet e Bashkuara Arabe dhe diskutuan bashkëpunimin në sektorë strategjikë si hapësira, energjia bërthamore, teknologjia dhe inovacioni.
Në janar, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje 10-vjeçare për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm, duke synuar dyfishimin e tregtisë dypalëshe deri në 200 miliardë dollarë deri në vitin 2032 dhe forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
