Kryeministri i Italisë, Draghi largohet më herët nga Samiti i NATO-s
Draghi u detyrua të kthehej më herët nga Madridi për shkak të tensioneve politike brenda qeverisë në Itali

Romë
Kryeministri i Italisë, Mario Draghi u largua herët nga Samiti i NATO-s në Madrid për shkak të tensioneve politike brenda qeverisë së tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pasi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez dhe bashkëshortja e tij shtruan darkë në muzeun 'Prado' për nder të liderëve dhe bashkëshortëve të tyre që merrnin pjesë në Samitin e liderëve të vendeve dhe qeverive të NATO-s, Draghi u kthye mbrëmë në Romë. Burime nga kryeministria pohuan se në ditën e fundit të Samitit të NATO-s, ministri italian i Mbrojtjes, Lorenzo Guerini do të përfaqësojë Italinë dhe Draghi sot do të mbledhë Këshillin e Ministrave.
Për shkak të tensioneve në qeveri, largimi dhe kthimi i hershëm i Draghit nga Samiti i NATO-s mori hapësirë të gjerë në mediat italiane.
Sipas mediave italiane, tensionet mes Draghit dhe Giuseppe Contes, kreut të Lëvizjes "5 Yjet" (M5S), një nga partitë që formojnë qeverinë e koalicionit dhe mosmarrëveshja mes partnerëve të tjerë të koalicionit për disa projektligje, bënë që lideri 74-vjeçar të kthehet herët nga Samiti i NATO-s në Madrid.
Pas lajmeve se Draghi thirri liderin themelues të M5S, Beppe Grillo, për të "ankuar dhe shkarkuar" kryetarin aktual të partisë, Giuseppe Conte, Thuhet se Conte kishte një telefonatë me Draghin, i cili ndodhej në Madrid për Samitin e NATO-s.
Në media u pasqyrua se Conte ka reaguar ndaj Draghit për shkak të takimit të tij me Grillon dhe se kjo telefonatë mes dy emrave nuk ka shkuar mirë. Thuhet se Conte u takua edhe me presidentin e vendit, Sergio Mattarella në mbrëmje dhe akuzoi Draghin për ndërhyrje në punët e brendshme të partisë duke u takuar me Grillo-n.
Edhe pse burimet e kryeministrisë mohuan që Draghi donte të shkarkonte Conten në takimin e tij me Grillon dhe se Draghi në Madrid tha se "Nuk ka asnjë rrezik për qeverinë", largimi i hershëm i kryeministrit nga Spanja u komentua se "brenda qeverisë janë rritur tensionet".
Krahas tensioneve mes Draghit dhe Contes, një tjetër partner i qeverisë së koalicionit, Partia e Ligës së djathtë, paralajmëroi qeverinë të mos sjellë në parlament projektligjin për prodhimin e kanabisit me projektligjin “Ius Scholae” nga partitë e majta, i cili lejon të marrin shtetësinë personat që janë vendosur në Itali para moshës 12-vjeçare dhe kanë studiuar për të paktën 5 vjet. Këto dy tensione kanë bërë që të vihet në pikëpyetje e ardhmja e qeverisë Draghi në vend, pak para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, pas këtyre zhvillimeve, kryeministri Draghi është takuar mesditën e sotme me presidentin, Mattarella.
Gazeta "La Repubblica" publikoi lajmin me titull: "Rrethimi ndaj qeverisë", gazeta La Stampa: "Lufta Draghi-Conte: Qeveria është në rrezik", dhe gazeta Corriere della Sera "Tensioni në qeveri është në yje".