Kryediplomatët e Pakistanit dhe Azerbajxhanit diskutojnë për Malësinë e Karabakut
Kryediplomati pakistanez shprehu "shqetësim të thellë" për përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe solidaritet të plotë me "kombin vëllazëror të Azerbajxhanit"

Karaçi
Ministrat e Punëve të Jashtme të Pakistanit dhe Azerbajxhanit diskutuan sot mbi konfliktin në Malësinë e Karabakut, ku përleshjet po vazhdojnë që nga 27 shtatori, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një bisedë telefonike, Shah Mahmood Qureshi siguroi homologun e tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, për mbështetjen e vendit të tij për rivendosjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Azerbajxhanit mbi Malësinë e Karabakut dhe territoret e tjera të okupuara.
Në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se Qureshi shprehu "shqetësim të thellë" për përkeqësimin e situatës së sigurisë dhe solidaritet të plotë me "kombin vëllazëror të Azerbajxhanit dhe popullin e tij në këtë kohë të vështirë".
Qureshi përcolli shqetësimet e tij rreth shënjestrimit "të dënueshëm" dhe vrasjes së civilëve nga forcat armene, duke shpresuar për një zgjidhje paqësore të krizës, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Sipas njoftimit, Bayramov vlerësoi mbështetjen e Pakistanit dhe informoi mbi situatën e fundit.
Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Qureshi gjithashtu falënderoi Azerbajxhanin për mbështetjen e Pakistanit në mosmarrëveshjen për Xhamu dhe Kashmir në forume të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI).
Ai e informoi homologun e tij për "shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe veprimet e tjera shtypëse" nga forcat indiane në luginën e diskutueshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.