Kryediplomatja e BE-së: Ne padyshim e shohim Turqinë si aktor në fushën e sigurisë
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas tha se ata e shohin Turqinë si lojtar në fushën e sigurisë dhe shprehën kënaqësinë që Stambolli ishte qendër ndërmjetësimi kohët e fundit

Bruksel
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas deklaroi se ata e shohin Turqinë si lojtar në fushën e sigurisë dhe shprehën kënaqësinë e tyre që Stambolli ka kryesuar si qendër ndërmjetësimi kohët e fundit, transmeton Anadolu.
Kallas iu përgjigj një pyetjeje në Komisionin Evropian në lidhje me bërjen e Turqisë vend kandidat si pjesë e Veprimit Evropian të Sigurisë (SAFE), mjetit të ri të financimit të Unionit.
"Vendimet që marrim në BE në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen, sjellin shumë para të reja në tryezë. Kjo u jep shteteve anëtare mundësinë për të marrë kredi ose prokurim të përbashkët dhe për të ndërmarrë projekte të përbashkëta. Në fakt, kjo do të thotë si marrja e parave ashtu edhe bashkëpunimi me partnerët tanë si Turqia", tha Kallas.
Ajo tha vendet evropiane 60 për qind të blerjeve të tyre të mbrojtjes i realizojnë nga SHBA-ja. "Kjo do të thotë se ne duhet të forcojmë industrinë tonë të mbrojtjes, siç e pamë në luftën e Ukrainës. (Në përputhje me SAFE) Ka vende ku mund të sigurojmë furnizim së bashku, ka mjete të projektuara për industrinë evropiane të mbrojtjes me vende partnere si Turqia", theksoi Kallas.
"Tani, Turqia si vend kandidat, ka qasje në kreditë SAFE për projekte të përbashkëta me vendet evropiane. Ne padyshim e shohim Turqinë si aktor në fushën e sigurisë", tha kryediplomatja e BE-së.
- Stambolli, vendi i përpjekjeve diplomatike
Kallas gjithashtu foli për situatën që filloi me sulmin e Izraelit ndaj Iranit. "Sigurisht, kjo luftë në Lindjen e Mesme është jashtëzakonisht shqetësuese. Ka shumë elementë. Sulmet ndaj objekteve bërthamore janë një shqetësim", tha Kallas.
Ajo potencoi se ata janë në favor të një zgjidhjeje diplomatike me Iranin. Kallas deklaroi se rivendosja e sanksioneve ndaj Iranit është në axhendë dhe se përpjekjet janë duke vazhduar për të gjetur mënyra të tjera.
"Sa i përket rolit të Turqisë, Stambolli ka qenë vendi ku janë mbajtur shumë takime. Kjo është arsyeja pse të gjithë janë mirënjohës për këtë ndërmjetësim", nënvizoi Kallas.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.