Kryediplomatja e BE-së, Kallas: Rusia të braktisë luftën dhe të ulet në tryezën e negociatave
"Perëndimi është i bashkuar në çështjen e garancive të sigurisë për Ukrainën", tha Kallas dhe i bëri thirrje Rusisë të "largohet nga fusha e betejës dhe të ulet në tryezën e negociatave"

Bruksel
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas tha se Perëndimi është i bashkuar në çështjen e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe i bëri thirrje Rusisë të "largohet nga fusha e betejës dhe të ulet në tryezën e negociatave", transmeton Anadolu.
Kallas foli në seancën kushtuar Ukrainës në seancën e parë të Parlamentit Evropian (PE) pas pushimeve të verës.
Ajo theksoi se përpjekjet ndërkombëtare për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë janë përshpejtuar në muajt e fundit. "Por, Rusia ka reaguar më agresivisht. Gjatë fundjavës, Rusia nisi sulmin ajror më të madh të kësaj lufte deri më sot", tha Kallas.
"(Presidenti rus Vladimir) Putin nuk ka interes për paqen dhe nuk do ta ndalojë luftën nëse nuk është i detyruar ta bëjë", shtoi kryediplomatja evropiane.
Sipas saj, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë ofruar rreth 169 miliardë euro mbështetje financiare që nga fillimi i luftës, përfshirë mbi 63 miliardë euro mbështetje ushtarake. "Vetëm këtë vit, shtetet anëtare do të ofrojnë më shumë mbështetje se kurrë më parë, 25 miliardë euro. Deri më sot, ato siguruan 80 për qind të objektivit tonë të municioneve prej 2 milionë fishekësh. Ne synojmë 100 për qind deri në tetor", tha Kallas.
"Mesazhi ynë për Rusinë është i thjeshtë, kjo luftë është e pafitueshme. Largohuni nga fusha e betejës dhe uluni në tryezë me Ukrainën", tha ajo.
Ajo tha se Rusisë nuk duhet t'i lejohet të riarmatoset dhe të sulmojë sapo të arrihet paqja. "Perëndimi është i bashkuar në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën. Në tryezën e Koalicionit të të Gatshmëve tashmë ka angazhime serioze", potencoi Kallas.
Kryediplomatja evropiane tha se Putini "kërcënoi të sulmonte të gjitha forcat perëndimore në terren, përfshirë paqeruajtësit", një ditë pas Koalicionit të të Gatshmëve në Paris më 4 shtator. "Kjo nënkupton përshkallëzim serioz të tensioneve nga Rusia dhe minon drejtpërdrejt sigurinë evropiane", nënvizoi Kallas.
- Thirrje për të nisur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së tha se Ukraina ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit. "Ka ardhur koha për të nisur negociatat për grupin e parë të kapitujve", theksoi Kallas.
BE-ja vendosi të niste negociatat me Ukrainën më 14-15 dhjetor 2023. Konferenca e parë Ndërqeveritare u mbajt më 25 qershor 2024, por hapja e kapitujve kërkon pëlqimin unanim nga të gjithë 27 anëtarët e BE-së. Ndërsa Hungaria vendos veton ndaj kësaj.