Kryediplomati turk merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm Turqi-Bullgari-Rumani
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan mori pjesë në takimin trepalësh të ministrave të Jashtëm Turqi-Bullgari-Rumani, i mbajtur në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s
Ankara
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan mori pjesë në takimin trepalësh të ministrave të Jashtëm Turqi-Bullgari-Rumani, i mbajtur në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, raporton Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga burimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Fidan së bashku me ministrin e Jashtëm bullgar Georg Georgiev dhe ministren e Jashtme rumune Oana Toiu, mori pjesë në takimin trepalësh të ministrave të Jashtëm Turqi-Bullgari-Rumani, i mbajtur në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.
Në takim duke iu referuar zhvillimeve të fundit, u theksua rëndësia që i jepet sigurisë së Detit të Zi nga tre vendet bregdetare të NATO-s. Më tej u tha se vazhdimësia e flukseve të tregtisë së lirë dhe siguria e korridoreve detare dhe infrastrukturës kritike janë me rëndësi jetike në nivel global dhe rajonal.
Gjithashtu u vu në dukje nevoja për liri lundrimi dhe pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare në Detin e Zi si dhe rëndësia e zbatimit të përpiktë të Konventës së Montreux-it lidhur me ngushticat.
Në takim u shpreh vullneti për të vepruar në solidaritet dhe për të siguruar që Deti i Zi të mbetet një det paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi.
