Bota

Kryediplomati turk: Mbështetja e SHBA-së për stabilitetin në Siri është “jashtëzakonisht e rëndësishme”

Fidan tha se mbështetja e SHBA-së për "rendin, prosperitetin dhe stabilitetin" është jetike, si dhe theksoi qasjen e përbashkët ndaj PKK/YPG-së dhe bisedimet në zhvillim e sipër midis Damaskut dhe YPG-së

Fatma Zehra Solmaz  | 16.11.2025 - Përdıtësım : 16.11.2025
Kryediplomati turk: Mbështetja e SHBA-së për stabilitetin në Siri është “jashtëzakonisht e rëndësishme” Foto: Ahmet Serdar Eser/AA

Ankara/Stamboll

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se është “jashtëzakonisht e rëndësishme" që SHBA-ja të mbështesë rendin, prosperitetin dhe stabilitetin në Siri, transmeton Anadolu.

Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në kanalin turk të lajmeve ‘A Haber’, Fidan përmendi takimin e shtatorit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, duke theksuar se ata diskutuan tema të mëdha në lidhje me marrëdhëniet dhe dinamikën rajonale.

Fidan tha se “performanca e fundit e politikës së jashtme” të Turqisë dhe besueshmëria e saj si partnere e kanë bërë atë “një aktor të kërkuar për bashkëpunim në shumë çështje”.

Bisedimet në SHBA, theksoi ai, përsëri nxorën në pah çështje me rëndësi kritike për të dy vendet, rajonin më të gjerë, si dhe paqen dhe stabilitetin global.

Ai theksoi se ruajtja e një mirëkuptimi të përbashkët dhe koordinimi i ngushtë është thelbësor për të mbrojtur dhe avancuar interesat kombëtare të Turqisë, duke shtuar se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë u përqendruan në Siri, Palestinë dhe Ukrainë.

Duke theksuar punën e Turqisë në Siri, nga stabilizimi i rajonit deri te mundësimi i kthimit të refugjatëve dhe mbështetja e përpjekjes së administratës së re për legjitimitet ndërkombëtar, Fidan tha se përpjekjet “rrallë shihen në histori”.

Ai shtoi se vendet që ndjekin nga afër zhvillimet e njohin sa morale dhe dinjitoze ka qenë politika e Turqisë.

Fidan theksoi se përpjekjet e Turqisë për të ruajtur integritetin territorial të Sirisë dhe mirëqenien e popullit të saj teksa kërkon të ecë përpara së bashku me vendet e rajonit, është një qasje që vetëm shtetet me një kulturë të thellë strategjike mund ta ndjekin.

Prania e Turqisë në Siri, theksoi ministri turk, është e natyrshme, pasi adresimi i problemeve të vendit nuk i sjell dobi vetëm Turqisë.

Ai shtoi se dallimi kryesor në politikën e jashtme të Turqisë është se ajo nuk vepron vetëm për avantazhin e vet, por synon të avancojë edhe interesat e përbashkëta rajonale.

Turqia dhe SHBA-ja duhet të ndërtojnë një “mirëkuptim të përbashkët” mbi çështjen e PKK/YPG-së

Më tej, Fidan tha se çështje e organizatës terroriste YPG/PKK, e cila vepron nën emrin SDF në Siri, ka qenë temë kryesore në bisedimet me SHBA-në. Ai theksoi se progresi kërkon “një mirëkuptim të përbashkët”.

Duke theksuar se SHBA-ja ka ndërtuar mekanizma të caktuar dhe investime politike nën pretekstin​​​​​​​ e luftimit të DEASH-it, ai tha se “tërheqja nga kjo” dhe zgjidhja e saj në një mënyrë që i shërben të gjitha palëve kërkon “kujdes, rend dhe durim”.

Ai theksoi rëndësinë e kontakteve midis Damaskut dheYPG-së, duke shtuar se bisedimet u ndërprenë së fundmi për shkak të zhvillimeve pas ndërhyrjes së Izraelit në Sirinë jugore.

Fidan tha se “shqetësimi kryesor si për Turqinë ashtu edhe për SHBA-në është të sigurohen që Izraeli të pushojë së qeni kërcënim për Sirinë dhe Siria të mos bëhet kërcënim për Izraelin dhe të gjitha palët të respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra tjetrës”.

Ai theksoi se pjesë të Sirisë mbeten nën pushtim dhe “pushtimi duhet të marrë fund”, derisa asnjë aktor nuk duhet të marrë një qëndrim që kërcënon pjesën tjetër të vendit.

“Ne presim që bisedimet që YPG-ja po zhvillon me Damaskun të evoluojnë deri në një pikë të caktuar”, tha Fidan, duke theksuar se negociatat janë duke vazhduar me SHBA-në, si dhe përmes kanaleve të vetë Turqisë.

Siç tha ministri Fidan, përpjekjet vazhdojnë për të drejtuar të gjitha pistat drejt një rezultati konkret. Ai shtoi se një nga arsyet kryesore për pauzat në dialogun Damask-YPG është tendenca e grupit për t’u larguar nga kursi i tij dhe për të kërkuar mundësi në kriza të reja rajonale.

Fidan gjithashtu përmendi provokimet izraelite në Sirinë jugore, veçanërisht duke shënjestruar komunitetin Druze, si dhe e përshkroi heqjen e presidentit sirian, Ahmad al-Sharaa dhe kolegëve të tij nga lista e terrorizmit e OKB-së si “një veprim shumë i rëndësishëm diplomatik”, duke lavdëruar anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın