Turqia

Kryediplomati turk do të vizitojë Egjiptin për bisedime të nivelit të lartë mbi Gazën dhe çështjet rajonale

Rendi i ditës përfshin diskutime mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet kryesore rajonale

Gizem Nisa Çebi Demir  | 08.08.2025 - Përdıtësım : 08.08.2025
Kryediplomati turk do të vizitojë Egjiptin për bisedime të nivelit të lartë mbi Gazën dhe çështjet rajonale

Stamboll

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan do të vizitojë Egjiptin për një seri takimesh diplomatike, duke trajtuar luftën izraelite në Gaza, çështjet rajonale dhe bashkëpunimin dypalësh, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të marra nga burimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, Fidan gjatë vizitës është planifikuar të pritet nga presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi.

Rendi i ditës përfshin diskutime mbi marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet kryesore rajonale. Bisedimet gjithashtu do të mbulojnë hapa konkret për të forcuar më tej bashkëpunimin shumëdimensional midis Turqisë dhe Egjiptit.

Vizita gjithashtu do të trajtojë zhvillimet e fundit në negociatat e vazhdueshme për armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit, të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe SHBA-ja.

Përpjekjet për t'i dhënë fund gjenocidit në Gaza dhe për të siguruar shpërndarjen e pandërprerë të ndihmës humanitare në rajon do të jenë një fokus qendror i takimeve.

Ministri turk pritet të theksojë se veprimet e fundit të Izraelit, që synojnë aneksimin e Gazës dhe minimin e zgjidhjes me dy shtete, përfaqësojnë pengesën më të madhe për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Në takim gjithashtu do të shqyrtohen rezultatet e Konferencës Ndërkombëtare për Palestinën, të mbajtur në New York më 28-30 korrik me pjesëmarrjen e Turqisë.

Po ashtu, Fidan dhe homologu i tij egjiptian, Badr Abdelatty, do të diskutojnë sfidat rajonale dhe mundësitë për kontributet e përbashkëta të të dy vendeve për stabilitetin në të gjithë Afrikën Veriore dhe Afrikën Lindore, si dhe në rajonin e Sahelit, me fokus në Libi, Sudan dhe Somali.

Ministri Fidan për herë të fundit u takua me ministrin Abdelatty gjatë sesionit të 51-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OIC-së, të mbajtur në Stamboll më 20-21 qershor.

Vizita e tij e fundit në Kajro ishte më 23 mars për të marrë pjesë në një takim të Grupit të Kontaktit të OIC-së dhe Ligës Arabe për Gazën.

Më 4 shkurt, gjithashtu edhe Abdelatty zhvilloi një vizitë në Turqi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.