Bota

Kryediplomati turk diskuton mbi Gazën me homologun e tij egjiptian

Hakan Fidan dhe Badr Abdelatty diskutuan në telefon për bisedimet e armëpushimit dhe përpjekjet për përmirësimin e situatës humanitare në enklavë, thonë burime të ministrisë

Muhammet Tarhan  | 19.08.2025 - Përdıtësım : 19.08.2025
Kryediplomati turk diskuton mbi Gazën me homologun e tij egjiptian

Stamboll/Ankara

Kryediplomati turk, Hakan Fidan, diskutoi zhvillimet e fundit në Gaza me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, thanë burime të Ministrisë së Jashtme të Turqisë, transmeton Anadolu.

Fidan dhe Abdelatty diskutuan në telefon për bisedimet e armëpushimit dhe përpjekjet për përmirësimin e situatës humanitare në enklavë, thanë burimet.

Burime thanë se Hamasi i është përgjigjur pozitivisht një propozimi për armëpushim në Gaza që synon t'i japë fund luftës.

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, u takua të hënën në Kajro me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Një deklaratë e presidencës egjiptiane tha se Sisi dhe Sheikh Mohammed pohuan rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të tyre të përbashkëta, në koordinim me SHBA-në, "për të arritur një marrëveshje që garanton një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës që lejon aksesin e menjëhershëm dhe të papenguar në ndihmën humanitare, si dhe lirimin e pengjeve".

Javën e kaluar, Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi planin e Kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ripushtuar plotësisht Gazën, duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe protesta në vend që paralajmëruan se kjo përbënte një "dënim me vdekje" për robërit izraelitë të mbajtur në enklavë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın