Kryediplomati sirian: Nuk shihet gatishmëri nga SDF-ja për integrimin
Ai tha se qëllimi i Sirisë mbetet zbatimi i plotë i integrimit, ruajtja e unitetit të vendit, parandalimi i çdo ndarjeje dhe refuzimi i marrëveshjeve administrative që mund të minojnë sovranitetin sirian
Stamboll
Ministri sirian i Punëve të Jashtme, Asaad al-Shaibani, ka deklaruar se ka pasur gatishmëri nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) në verilindje të Sirisë për t'u integruar në administratën qendrore të vendit në Damask, raporton Anadolu.
Në konferencën e përbashkët për media në Damask me homologun e tij turk, Hakan Fidan, al-Shaibani tha se “fatkeqësisht, nuk kemi parë asnjë gatishmëri nga SDF-ja", duke iu referuar integrimit të verilindjes, një marrëveshje për të cilën u nënshkrua më 10 mars.
Ai tha se marrëveshja e 10 marsit tregoi qartë vullnetin për të forcuar unitetin kombëtar të Sirisë dhe për të bashkuar territorin e vendit përmes dialogut, një kuptimi të shqetësimeve të përbashkëta dhe metodave të civilizuara.
Megjithatë, SDF nuk ka treguar ndonjë vullnet të vërtetë dhe serioz ose nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për të zbatuar marrëveshjen, përkundrazi, tha ministri sirian, ka ndodhur një proces sistematik bllokimi.
Al-Shaibani tha se së fundmi është paraqitur një propozim për të ringjallur procesin e integrimit, veçanërisht në lidhje me dimensionin e tij ushtarak, duke theksuar se propozimi është përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes dhe përgjigja e palës tjetër është marrë të dielën.
Ministri sirian tha se përgjigja aktualisht po shqyrtohet në detaje, duke theksuar se autoritetet po vlerësojnë se si procesi do t'u shërbejë interesave kombëtare.
Al-Shaibani theksoi se Siria do t'i kushtojë më shumë rëndësi rajonit Jazira në verilindje të vendit, duke u shprehur se "shteti sirian do të jetë i pranishëm atje".
Ai tha se qëllimi i Sirisë mbetet zbatimi i plotë i integrimit, ruajtja e unitetit të vendit, parandalimi i çdo ndarjeje dhe refuzimi i marrëveshjeve administrative që mund të minojnë sovranitetin sirian.
Ndërkohë, ai tha se bisedimet midis presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa dhe delegacionit turk u përqendruan në heqjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Sirisë, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, forcimin e lidhjeve të inteligjencës dhe ushtrisë, si dhe lehtësimin e kthimit të refugjatëve sirianë.
Ai shtoi se diskutimet trajtuan gjithashtu përpjekjet kundër terrorizmit, luftën kundër grupit terrorist DEASH, parandalimin e ringjalljes së tij në Siri dhe zhvillimin e një vizioni të përbashkët për verilindjen e vendit.
Grupi terrorist PKK/YPG vepron nën emrin SDF në Siri.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
