Kryediplomati iranian: Irani gati për marrëveshje qetësuese për pasurimin, refuzon pasurimin zero
Araghchi theksoi se pasurimi zero “nuk është në tryezën e negociatave”, duke shtuar se pasurimi është një e “drejtë e garantuar” për Iranin dhe “duhet të vazhdojë”
Stamboll
Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani është gati të arrijë një “marrëveshje qetësuese” për pasurimin e uraniumit, duke theksuar se pasurimi zero është jashtë kornizës së negociatave, trasmeton Anadolu.
Duke folur për kanalin Al Jazeera, Araghchi tha se dosja bërthamore iraniane mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave, duke theksuar se Washingtoni u rikthye në bisedime pasi më herët kishte përdorur veprimeve ushtarake.
“Negociatat janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjen bërthamore iraniane”, tha Araghchi, duke shtuar se bisedimet me Washingtonin përbëjnë “një fillim të mirë”, megjithëse “mbetet një rrugë e gjatë për të rindërtuar besimin” mes dy palëve.
Ai theksoi se programi raketor i Iranit nuk është dhe nuk do të jetë subjekt negociatash, duke e përshkruar atë si një “çështje mbrojtëse”.
Araghchi tha se Irani është i përgatitur të “ndërtojë besim për të zhvilluar negociata realiste që synojnë arritjen e një rezultati të drejtë dhe fitimprurës për të dyja palët”, duke përsëritur gatishmërinë e Teheranit për të arritur një marrëveshje që qetëson të gjitha palët sa i përket pasurimit.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se pasurimi zero “nuk është në tryezën e negociatave”, duke shtuar se pasurimi është një e “drejtë e garantuar” për Iranin dhe “duhet të vazhdojë”.
“Edhe bombardimet nuk arritën t’i shkatërrojnë kapacitetet tona”, tha ai.
Duke folur për sigurinë rajonale, Araghchi tha se Irani nuk synon vendet fqinje, por bazat ushtarake amerikane të vendosura në rajon.
“Ne nuk sulmojmë shtetet fqinje. Ne synojmë bazat amerikane në rajon dhe ka një ndryshim të madh mes këtyre të dyjave”, tha ai.
Ai shtoi se, edhe pse Irani nuk ka aftësinë të godasë territorin amerikan nëse Washingtoni sulmon, ai do të përgjigjej duke shënjestruar bazat amerikane në rajon.
Araghchi tha se mundësia e luftës “ekziston gjithmonë”, duke theksuar se Irani është i përgatitur për një skenar të tillë, ndërkohë që vazhdon përpjekjet për ta parandaluar atë.
Ai tha se megjithëse negociatat me Washingtonin u zhvilluan në mënyrë indirekte, ato gjithsesi krijuan mundësinë për “një shtrëngim duarsh” me delegacionin amerikan.
“Nuk ka ende një datë të caktuar për raundin e dytë të bisedimeve, por si Teherani ashtu edhe Washingtoni besojnë se ai duhet të zhvillohet së shpejti”, tha ai.
Sa i përket niveleve të pasurimit, Araghchi tha se shkalla e pasurimit varet nga nevojat e Iranit, duke theksuar se “uraniumi i pasuruar nuk do të largohet nga vendi”.
Ai shtoi se bisedimet me Washingtonin ishin indirekte dhe të kufizuara ekskluzivisht në dosjen bërthamore.
Irani dhe SHBA-ja rifilluan diplomacinë bërthamore indirekte të premten pas javësh tensionesh të shtuara, të nxitura nga kërcënimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për veprime ushtarake kundër vendit.
Më herët, ministri Araghchi i përshkroi bisedimet e së premtes si një “fillim të mirë”, duke theksuar se ato mund të vazhdojnë nëse kapërcehet atmosfera e mosbesimit. Ai tha se u ra dakord që procesi të vazhdojë dhe se palët mund të mblidhen sërish në Muskat në një datë të mëvonshme.
Ministri i Punëve të Jashtme i Omanit, Badr Albusaidi, tha se bisedimet ishin “shumë serioze”, duke ndihmuar në qartësimin e qëndrimeve të të dyja palëve dhe në identifikimin e fushave për përparim të mundshëm.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
