Kryediplomati iranian do zhvillojë bisedime për armët bërthamore me homologun nga Omani dhe shefin e IAEA-s
Araghchi tha se do të takohet me Grossin të shoqëruar nga ekspertë për armët bërthamore për "diskutim të thellë teknik" dhe me Albusaidin para bisedimeve indirekte me SHBA-në
Stamboll
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha të hënën se do të zhvillojë bisedime për armët bërthamore në Gjenevë me ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr Albusaidi dhe shefin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi, transmeton Anadolu.
Në një postim në kompaninë amerikane të mediave sociale X, Araghchi tha se do të takohet me Grossin të shoqëruar nga ekspertë për armët bërthamore për "diskutim të thellë teknik" dhe me Albusaidin para bisedimeve indirekte me SHBA-në.
"Jam në Gjenevë me ide të vërteta për të arritur marrëveshje të drejtë dhe të barabartë", tha Araghchi duke shtuar se "nënshtrimi para kërcënimeve nuk është në tryezë", duke sinjalizuar qëndrimin e Teheranit ndërsa bisedimet ecin përpara.
Aragachi u largua nga Teherani të dielën për në Gjenevë për të marrë pjesë në raundin e dytë të bisedimeve indirekte për armët bërthamore me SHBA-në. Raundi i fundit u mbajt në Muscat, kryeqytetin e Omanit, më 6 shkurt, më shumë se tetë muaj pasi lufta 12-ditore Iran-Izrael në qershor 2025 e la diplomacinë në plan të dytë.
Turqia dhe shtete të tjera të rajonit ndërhynë kohët e fundit për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe për të ringjallur kanalet diplomatike, veçanërisht pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi të përdorte veprime ushtarake kundër Iranit.
