Kryediplomati i Omanit zhvillon bisedime të ndara me përfaqësuesit iranianë dhe amerikanë
Ministri i Jashtëm i Omanit zhvilloi bisedime të ndara me zyrtarët iranianë dhe amerikanë, konfirmon Ministria e Jashtme e Omanit, duke shtuar se diskutimet u përqendruan në krijimin e kushteve "të favorshme" për rifillimin e diplomacisë
Stamboll
Ministri i Jashtëm i Omanit zhvilloi bisedime të ndara me zyrtarët amerikanë dhe iranianë sot, si pjesë e bisedimeve indirekte të ndërmjetësuara nga Omani midis SHBA-së dhe Iranit për rifillimin e një rruge diplomatike, konfirmoi Ministria e Jashtme e vendit, transmeton Anadolu.
Konsultimet e veçanta të kryediplomatit Sayyid Badr Hamad Al Busaidi me homologun e tij iranian Abbas Araghchi dhe me Steve Witkoff, përfaqësuesin special të presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, “u fokusuan në krijimin e kushteve të favorshme për rifillimin e bisedimeve diplomatike dhe teknike”, tha ministria në rrjetin social amerikan X.
Rëndësia e këtyre diskutimeve u theksua gjithashtu “në dritën e përkushtimit të palëve për të siguruar suksesin e tyre me qëllim arritjen e sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm”, shtoi ministria.
Al Busaidi ka riafirmuar përkushtimin e Omanit për të vazhduar mbështetjen e dialogut dhe për t’i afruar palët më pranë njëra-tjetrës, si dhe për të punuar me partnerë të ndryshëm për të arritur zgjidhje politike konsensuale që përputhen me qëllimet dhe aspiratat e dëshiruara.
Ai gjithashtu ka shprehur vlerësimin për përpjekjet e vendeve rajonale që i mbështesin këto bisedime, tha ministria.
Gjatë negociatave të sotme, Irani përfaqësohet nga një delegacion i udhëhequr nga Araghchi. Sipas agjencisë shtetërore iraniane IRNA, Araghchi shoqërohet nga Majid Takht-Ravanchi, zëvendësministër për çështjet politike; Esmaeil Baghaei, zëdhënës i ministrisë; Hamid Ghanbari, zëvendësministër për çështjet ekonomike; si dhe diplomatë të tjerë iranianë.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump dhe ndihmës jozyrtar, përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara në bisedime.
Bisedimet zhvillohen në një kohë kur tensionet midis Washingtonit dhe Teheranit janë në rritje, të nxitura nga një shtim i pranisë ushtarake amerikane në Gjirin Persik dhe kërcënimet e përsëritura për veprime ushtarake nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në ditët e fundit, disa vende të tjera, përfshirë Turqinë, kanë ndërhyrë dhe ofruar të ndërmjetësojnë midis Teheranit dhe Washingtonit për të zbutur tensionet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
