Politikë, Bota

Kryediplomati i Kinës, Wang pret në takim homologun sirian Al-Shaibani në Pekin

Ky është udhëtimi i parë në Kinë i ministrit të Jashtëm sirian Asaad al-Shaibani që nga formimi i qeverisë në janar nga presidenti Ahmed al-Sharaa

Riyaz Khaliq Khaliq  | 17.11.2025 - Përdıtësım : 17.11.2025
Kryediplomati i Kinës, Wang pret në takim homologun sirian Al-Shaibani në Pekin

Istanbul

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi priti në Pekin homologun sirian, Asaad al-Shaibani për të diskutuar për "interesat e përbashkëta", transmeton Anadolu.

Ky është udhëtimi i parë në Kinë i ministrit të Jashtëm sirian Al-Shaibani që kur presidenti Ahmed al-Sharaa formoi qeverinë në Siri në janar, pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad dhjetorin e kaluar. "Shkëmbimet miqësore midis Kinës dhe Sirisë kanë histori të gjatë, me Rrugën e lashtë të Mëndafshit që lidh dy popujt", i tha Wang ministrit të jashtëm sirian.

Ai tha se "Kina ndjek një politikë miqësore ndaj të gjithë popullit sirian dhe respekton zgjedhjet e bëra nga populli sirian në mënyrë të pavarur". Të dy vendet shënojnë 70 vjetorin e lidhjeve diplomatike vitin e ardhshëm. Wang dhe Al-Shaibani lëshuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët.

Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, Wang i tha ministrit të Jashtëm sirian se të dy vendet kanë interesa të gjera të përbashkëta. "Kina do të vazhdojë të mbështesë parimet e mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe t'i kthejë marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur", tha Wang.

"Siria duhet të parandalojë çdo entitet që përdor territorin e saj për të kryer aktivitete që dëmtojnë sigurinë kombëtare, sovranitetin dhe interesat e Kinës", tha ministri i Jashtëm kinez. Ai shtoi se të dyja palët duhet të rifillojnë gradualisht shkëmbimet në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat.

"Kina është e gatshme të shqyrtojë në mënyrë aktive pjesëmarrjen në rindërtimin ekonomik të Sirisë dhe të kontribuojë në zhvillimin shoqëror të Sirisë dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve", tha Wang, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Kinës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.