Kryediplomati bjellorus: Bjellorusia pritet të hapë ambasadë në Korenë e Veriut
Ryzhenkov tha se Lukashenko gjithashtu ka ngarkuar zyrtarët që të përshpejtojnë punën për një marrëveshje për udhëtim pa viza për qytetarët bjellorusë
Stamboll
Ministri i Punëve të Jashtme i Bjellorusisë, Maxim Ryzhenkov, ka bërë të ditur se presidenti Alexander Lukashenko ka udhëzuar zyrtarët që të hapin një ambasadë në Korenë e Veriut, transmeton Anadolu.
"Presidenti ka vendosur objektiva shumë konkrete. Hapjen e ambasadës sonë këtu si përgjigje ndaj ambasadës së Koresë së Veriut, e cila prej kohësh ekziston në Republikën e Bjellorusisë", tha Ryzhenkov.
Sipas agjencisë shtetërore e lajmeve Belta, Ryzhenkov tha se Lukashenko gjithashtu ka ngarkuar zyrtarët që të përshpejtojnë punën për një marrëveshje për udhëtim pa viza për qytetarët bjellorusë.
"Dhe, në përgjithësi, duke u mbështetur në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit tashmë të nënshkruar, ne do të shqyrtojmë të gjithë gamën e çështjeve që mund të adresojmë në një të ardhme shumë të afërt", tha ai, duke theksuar se fusha premtuese përfshijnë shëndetësinë, arsimin dhe bujqësinë.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi Minsku dhe Pheniani nënshkruan një "traktat miqësie" gjatë vizitës së parë të Lukashenkos në Korenë e Veriut. Gjatë takimit me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, presidenti bjellorus tha se marrëdhëniet mes dy vendeve po hyjnë në "një fazë thelbësisht të re".
Koreja e Veriut mban një ambasadë në Bjellorusi që nga viti 2016.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
