Kryediplomatët e Turqisë dhe Sirisë diskutojnë për situatën në Halep
Në një bisedë telefonike, Hakan Fidan dhe Asaad Hassan al-Shaibani diskutuan për situatën në qytet, i cili ditët e fundit ka qenë objekt i sulmeve nga organizata terroriste YPG/SDF
Stamboll
STAMBOLL (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan dhe homologu i tij sirian, Asaad Hassan al-Shaibani, sot në një bisedë telefonike diskutuan për situatën në qytetin e Halepit, njoftuan burime diplomatike turke, transmeton Anadolu.
Sipas zyrtarëve sirianë, organizata terroriste YPG/SDF ka kryer sulme në disa lokacione në Halep nga zonat që i ka pushtuar që nga 6 janari. Damasku i ka bërë thirrje grupit që të respektojë marrëveshjen e arritur më 10 mars të vitit të kaluar dhe të ndalë sulmet.
Me vazhdimin e sulmeve, ushtria siriane ka nisur operacione të synuara kundër pozicioneve të grupit në lagjet Sheikh Maqsoud dhe Ashrafiyah, të cilat ndodheshin nën okupimin e organizatës terroriste.
Më 10 mars të vitit të kaluar, presidenca siriane njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për integrimin e organizatës terroriste YPG/SDF në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.
Megjithatë, autoritetet thonë se në muajt pasues grupi terrorist nuk ka treguar përpjekje për të përmbushur kushtet e marrëveshjes. Qeveria ka intensifikuar përpjekjet për ruajtjen e sigurisë në të gjithë vendin që nga rrëzimi i regjimit të Asadit në dhjetor të vitit 2024, pas 24 vitesh në pushtet.
Që nga 6 janari, të paktën nëntë sirianë janë vrarë dhe 55 persona, shumica civilë, janë plagosur nga sulmet e kryera nga grupi. Komiteti i Qendrës së qytetit të Halepit njoftoi këtë javë se 142 mijë persona janë evakuuar në zona të sigurta brenda qytetit.
