Bota

Kreu i NATO-s, Rutte mirëpret përpjekjet për paqe në Ukrainë

"Administrata amerikane është shumë e përfshirë dhe është në koordinim të ngushtë me homologët e saj evropianë", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte

Selen Valente Rasquinho  | 20.05.2025 - Përdıtësım : 20.05.2025
Kreu i NATO-s, Rutte mirëpret përpjekjet për paqe në Ukrainë

Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se seria e telefonatave të zhvilluara dje nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump në lidhje me Ukrainën, janë shenja pozitive dhe shprehu kënaqësinë e tij me përpjekjet e bëra në këtë drejtim, transmeton Anadolu.

Duke marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, Rutte tha se çështje të tilla si kërcënimi i vazhdueshëm rus, forcimi ushtarak i Kinës dhe terrorizmi paraqesin rreziqe si për territorin e BE-së ashtu edhe për atë të NATO-s.

Ai vuri në dukje se për këtë arsye në takimin e sotëm ata do të zhvillojnë konsultime me ministrat e BE-së mbi atë që i nevojitet Ukrainës për paqe të qëndrueshme, duke rritur njëkohësisht shpenzimet dhe prodhimin e mbrojtjes.

I pyetur mbi zhvillimet e fundit në bisedimet e paqes në Ukrainë pas një serie telefonatash që presidenti amerikan Trump zhvilloi dje, Rutte tha: "Nuk dua të bëj koment vazhdimisht çdo ditë rreth zhvillimeve".

Ai vlerësoi përpjekjet e administratës amerikane për të arritur paqe në Ukrainë pasi Trump mori detyrën, duke thënë se "Administrata amerikane është shumë e përfshirë dhe është në koordinim të ngushtë me homologët e saj evropianë".

"Deri në janar nuk kishte aspak negociata me Ukrainën (dhe Rusinë). Gjëja pozitive është se presidenti Trump ka filluar të hapë kanale komunikimi me presidentin rus", tha kreu i NATO-s.

Rutte tha se telefonatat e Trumpit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, presidentin rus Vladimir Putin, udhëheqësit evropianë dhe Komisionin Evropian janë shenja pozitive.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.