Kreu i Mossadit: Nuk do të lejojmë që Irani të bëjë tjetër marrëveshje për armët bërthamore
"Irani mendon se mund ta mashtrojë botën përsëri dhe të bëjë një tjetër marrëveshje të keqe për armët bërthamore, por ne nuk do ta lejojmë këtë", tha Barnea
Kuds
Kreu i Mossadit izraelit, David Barnea pretendon se Irani po përpiqet të "mashtrojë botën" dhe të nënshkruajë një marrëveshje të re për armët bërthamore, por se nuk do ta lejojnë këtë, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Barnea e bëri deklaratën në një ceremoni që organizoi në nder të punonjësve të agjencisë.
"Irani mendon se mund ta mashtrojë botën përsëri dhe të bëjë një tjetër marrëveshje të keqe për armët bërthamore, por ne nuk do ta lejojmë këtë", tha Barnea. Ai pretendon se "Irani nuk ka hequr dorë nga ambicia e tij për të shkatërruar Izraelin".
"Një shtet që ka të gdhendur shkatërrimin e Izraelit në flamurin e tij, që ka mashtruar botën për zhvillimin e armëve bërthamore dhe që ka pasuruar uranium në nivel që mund të shpjegohet vetëm me dëshirën e tij për të poseduar aftësi ushtarake bërthamore, është një shtet që do të kapërcejë mbrojtjen e armikut në rastin e parë", tha Barnea.
Kreu i Mossadit thekson se Izraeli e konsideron veten përgjegjës për parandalimin e zbatimit të programit bërthamor të Iranit dhe duke iu referuar sulmeve të fundit ndaj Iranit, tha se ky program pësoi "goditje të rëndë" si rezultat i bashkëpunimit izraelito-amerikan.
Barnea tha se Irani qëndron pas komploteve që shënjestrojnë hebrenjtë në mbarë botën dhe se "shënjestrimi i civilëve" është pjesë e strategjisë së sigurisë së regjimit iranian.
