Kreu i këshillit tranzitor të Sudanit: Do të hakmerremi për gjakderdhjen e civilëve nga milicia e RSF-së
"Do të hakmerremi për ata që u vranë dhe u brutalizuan në El-Fasher, Geneina, Al-Jazira dhe në qytete e zona të tjera që u dhunuan nga milicia e RSF-së", tha Al-Burhan
Istanbul
Kryetari i Këshillit të Sovranitetit Tranzitor të Sudanit, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan ka thënë se do të hakmerren për gjakderdhjen e civilëve nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), transmeton Anadolu.
"Do të hakmerremi për ata që u vranë dhe u brutalizuan në El-Fasher, Geneina, Al-Jazira dhe në qytete e zona të tjera që u dhunuan nga milicia e RSF-së", tha Al-Burhan gjatë takimit të tij me komandantët e ushtrisë.
Ai tha se fushata e udhëhequr nga forcat e tiranisë dhe arrogancës kundër Sudanit do të mposhtet dhe populli sudanez do të triumfojë. Al-Burhan, i cili është gjithashtu shefi i ushtrisë, tha se ushtria është e vendosur të shtypë milicinë rebele dhe të sigurojë kufijtë e shtetit sudanez.
"Me forcë, vendosmëri dhe këmbëngulje, së shpejti do të arrijmë fitoren ndaj milicisë rebele dhe do ta eliminojmë atë plotësisht", shtoi ai.
Më 26 tetor, RSF-ja pushtoi qytetin El-Fasher, kryeqytet i shtetit të Darfurit të Veriut dhe qytet strategjik në rajon ndërsa sipas organizatave lokale dhe ndërkombëtare RSF-ja kreu masakra ndaj civilëve, duke shkaktuar paralajmërime se marrja e kontrollit mund të çimentonte një ndarje gjeografike të vendit të shkatërruar nga lufta.
Sipas një raporti të OKB-së në janar 2024, midis 10 mijë dhe 15 mijë njerëzve në Sudan, përfshirë guvernatorin e shtetit, në dhunën me bazë etnike të kryer nga RSF-ja dhe milicitë aleate.
Nga 18 shtetet e Sudanit, RSF-ja aktualisht kontrollon të 5 shtetet e rajonit të Darfurit në perëndim, përveç disa zonave veriore në Darfurin e Veriut që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Ushtria sudaneze ka kontroll mbi shumicën e 13 shteteve të mbetura në rajonet jugore, veriore, lindore dhe qendrore, përfshirë kryeqytetin Khartum.
Që nga 15 prilli i vitit 2023, ushtria sudaneze dhe RSF-ja janë përfshirë në një luftë që ndërmjetësimet rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfundojnë. Konflikti ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.
