Bota

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së do të ftojë kryeministrin izraelit për t’u adresuar në Kongres

"Do të doja që ai të vinte dhe të adresohej në një seancë të përbashkët të Kongresit. Ne me siguri do ta bëjmë atë ftesë", tha Johnson

Diyar Güldoğan  | 21.03.2024 - Përdıtësım : 21.03.2024
Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së do të ftojë kryeministrin izraelit për t’u adresuar në Kongres Foto: AA/Arkiv

Washington DC

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka bërë të ditur se do t’i dërgojë ftesë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për t’iu drejtuar Kongresit Amerikan, transmeton Anadolu.

"Do të doja që ai të vinte dhe të adresohej në një seancë të përbashkët të Kongresit. Ne me siguri do ta bëjmë atë ftesë", tha Johnson në një intervistë me rrjetin CNBC.

Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi kryeministri Netanyahu u tha senatorëve republikanë amerikanë se Izraeli do të vazhdojë përpjekjet e tij për të mposhtur Hamasin në Rripin e Gazës.

Dje, Johnson tha se po konsideron të ftojë Netanyahun dhe se është "shumë e rëndësishme" që SHBA-ja të tregojë solidaritet dhe mbështetje për Izraelin "tani në kohën e tyre të luftës së madhe".

Ndërkohë, udhëheqësi i shumicës në Senatin e SHBA-së, Chuck Schumer, thuhet se hodhi poshtë kërkesën e Netanyahut për të folur me senatorët demokratë.

"Kur i bëni këto çështje partizane, ju lëndoni kauzën e Izraelit", u tha Schumer gazetarëve.

Duke iu referuar vërejtjeve të Schumer-it, i cili bëri thirrje për zgjedhje të reja në Izrael dhe kritikoi udhëheqjen e Netanyahut, Johnson tha për CNBC se thirrja e Schumer-it për zgjedhje të reja në Izrael është "e egër dhe e pabesueshme".

"T'i sugjerosh aleatit tonë më të fortë në Lindjen e Mesme se ai e di më mirë kur bëhet fjalë për drejtimin e demokracisë së tyre është absurde. Republikanët do të qëndrojnë gjithmonë me Izraelin”, tha Johnson.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Afër 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 74.200 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.