Kreu i agjencisë izraelite të sigurisë do të japë dorëheqje pas mosmarrëveshjes me qeverinë e Netanyahut
Dje, Netanyahu akuzoi kreun e agjencisë Shin Bet për një dështim të inteligjencës lidhur me sulmin e 7 tetorit të vitit 2023 nga grupi palestinez Hamas

Kuds/Istanbul
Kreu i agjencisë së sigurisë izraelite Shin Bet, Ronen Bar, ka bërë të ditur se do të japë dorëheqje më 15 qershor, një njoftim i bërë pas një mosmarrëveshje me qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cila muajin e kaluar nxori një vendim për shkarkimin e tij, vendim më vonë i ngrirë nga Gjykata Supreme, transmeton Anadolu.
“Pas 35 vitesh shërbimi, me qëllim që të lejohet një proces i rregullt i emërimit të një zëvendësimi të përhershëm dhe mbivendosje profesionale, do ta përfundoj rolin tim më 15 qershor 2025”, tha Bar në një ceremoni përkujtimore për personelin e rënë të agjencisë Shin Bet.
Dje, siç raportoi transmetuesi publik KAN, Netanyahu akuzoi kreun e agjencisë Shin Bet për një dështim të inteligjencës lidhur me sulmin e 7 tetorit të vitit 2023 nga grupi palestinez Hamas.
Në një deklaratë me shkrim drejtuar Gjykatës së Lartë, duke iu përgjigjur dëshmisë që Bar paraqiti javën e kaluar mbi vendimin e qeverisë për ta shkarkuar atë, Netanyahu tha se, “Pretendimi i Ronen Bar-it se ai paralajmëroi për një luftë të afërt dhe i alarmoi të gjitha sistemet është i rremë. Trajtimi i ngjarjeve (të tetorit 2023) nga Bar përbën dështimin më të madh të inteligjencës në historinë e Izraelit”.