Kremlini: Ukrainasit “sakrificë rituale” për NATO-n në luftën kundër Rusisë
Duke komentuar premtimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës, Peskov tha se aleanca u krijua si një mjet për të frenuar Rusinë

Moskë
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se NATO-ja nuk ka hequr dorë nga planet e saj për të frenuar Rusinë dhe përdor ukrainasit si një “sakrificë rituale”, transmeton Anadolu.
Duke komentuar premtimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës, Peskov në një konferencë për media në Moskë tha se aleanca u krijua si një mjet për të frenuar Rusinë.
“NATO është një aleancë që u krijua si një mjet konfrontimi, u konceptua kështu, arkitektura e saj u ndërtua për të frenuar vendin tonë. Pavarësisht se çfarë deklaratash bëhen, qëllimi kryesor i aleancës është pikërisht kjo”, tha Peskov.
Ai tha se aleanca sheh atë që po ndodh në vijën e parë, por nuk braktis planet e saj për të dobësuar Rusinë, duke sakrifikuar popullin ukrainas.
“Me sa duket aleanca analizon situatën, aleanca sheh gjendjen reale të punëve, por deri më tani aleanca nuk ka hequr dorë nga planet e saj për të kontrolluar Rusinë dhe siç thonë ata, për të masakruar popullin ukrainas si një sakrificë rituale në luftën kundër Rusisë”, tha Peskov.
“Ne e kuptojmë këtë shumë mirë dhe po ndërtojmë linjën tonë të mëtejshme të veprimit pikërisht në përputhje me këto realitete. Operacioni special ushtarak vazhdon”, tha ai.
Duke iu referuar një takimit të OPEC-ut të planifikuar për më 30 nëntor, Peskov tha se puna e organizatës është “shumë delikate dhe e përgjegjshme”. Ai shtoi se kontaktet vazhdojnë dhe të gjitha vendimet nëse merren, do të njoftohen pas takimit.
OPEC u themelua në vitin 1960 me iniciativën e vendeve më të mëdha prodhuese të naftës, Venezuelës, Irakut, Iranit, Kuvajtit dhe Arabisë Saudite. Formati i zgjeruar i OPEC+ përfshin disa vende të tjera prodhuese të naftës, përfshirë Rusinë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.