Kremlini: Takimi i Putinit me të dërguarit e Trumpit, diskutimi i parë direkt i planit për Ukrainën
"Është e rëndësishme të thuhet se një shkëmbim i tillë i drejtpërdrejtë i pikëpamjeve u zhvillua dje për herë të parë. Disa sugjerime u pranuan, të tjerat u konsideruan të papranueshme", tha Peskov
Moskë
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se takimi midis presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, ishte shkëmbimi i parë i drejtpërdrejtë i pikëpamjeve midis Moskës dhe Washingtonit mbi planin e zgjidhjes së sugjeruar nga presidenti amerikan Trump, transmeton Anadolu.
"Është e rëndësishme të thuhet se një shkëmbim i tillë i drejtpërdrejtë i pikëpamjeve u zhvillua dje për herë të parë. Disa sugjerime u pranuan, të tjerat u konsideruan të papranueshme. Ky është proces normal pune për kërkimin e kompromiseve", tha Peskov në konferencën për mediat në Moskë.
I pyetur se sa takime janë të nevojshme, Peskov tha se përfaqësuesit rusë janë të gatshëm të takohen me homologët e tyre amerikanë sa herë të jetë e nevojshme për të arritur zgjidhje paqësore në Ukrainë.
Peskov mohoi se Putini ka hedhur poshtë planin e paqes të SHBA-së, duke i quajtur deklaratat e tilla "të pasakta". Sipas tij, puna në nivel ekspertësh është duke vazhduar dhe përfundimisht mund të çojë në kontakt midis dy presidentëve.
Një bisedë telefonike midis Putinit dhe Trumpit "është e mundur në çdo moment dhe mund të organizohet menjëherë". "Është në nivel ekspertësh që duhet të arrihen rezultate të caktuara, të cilat më pas do të shërbejnë si bazë për kontaktet në nivelin më të lartë", tha Peskov.
Lidhur me mundësinë e publikimit të pikave konfidenciale të diskutimit në media, Peskov tha se Kremlini beson se negociatat me SHBA-në për zgjidhje të krizës ukrainase duhet të zhvillohen në heshtje dhe se pala amerikane i përmbahet të njëjtit parim.
Duke përmendur nevojën për diskrecion, ai anashkaloi një pyetje nëse pala ruse i ka dokumentuar korrigjimet në zgjidhje në letër. "Ne qëllimisht nuk do të shtojmë asgjë. Sa më të qeta të zhvillohen këto negociata, aq më i madh është produktiviteti i tyre. Ne do t'i përmbahemi këtij parimi dhe shpresojmë që edhe homologët tanë amerikanë do ta zbatojnë atë", theksoi ai.
Peskov shmangu përgjigjen lidhur me dokumentet e reja që lidhen me planin e paqes të SHBA-së për Ukrainën, të sjellë nga Witkoff dhe Kushner dhe se si mund të karakterizohen ato. Duke komentuar qëndrimin e BE-së, zëdhënësi i Kremlinit tha se Evropa vazhdon të veprojë në përputhje me përpjekjet për t'i shkaktuar disfatë strategjike Rusisë.
"Evropianët nuk po marrin pjesë në këtë proces sepse mbeten të fiksuar në idenë e shkaktimit të një disfate strategjike ndaj Rusisë. Ata vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë dhe gabohen thellësisht në këtë drejtim", theksoi ai.
Lidhur me deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen se BE-ja po e braktis plotësisht gazin rus, Peskov tha se Evropa, duke refuzuar burimet energjetike ruse, do të bëhet e varur nga gazi shumë më i shtrenjtë dhe do të humbasë pozicionin e saj kryesor në ekonominë globale.
